Ter Stegen operohet në shpinë, Barça nuk specifikon kohën e rikuperimit

Ter Stegen operohet në shpinë, Barça nuk specifikon kohën

Portieri gjerman i Barcelonës, Marc-André ter Stegen, i është nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale për problemet e tij në shpinë.

Sipas ‘El Mundo Deportivo’, ndërhyrja ishte planifikuar për të martën, dhe futbollisti udhëtoi drejt Francës në fillim të javës për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve në zonën lumbare.

Klubi ‘blaugrana’, duke shmangur çdo afat konkret për rikthimin e portierit, ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku theksohet se “evolucioni i tij do të përcaktojë disponueshmërinë”.

Ndërhyrja u krye me sukses nga Dr. Amélie Léglise, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Barcelonës, në Sports Clinic Bordeaux Mérignac.

Deklarata zyrtare e Barcelonës:

"Lojtari i ekipit të parë, Marc ter Stegen, është rioperuar me sukses për problemet lumbare nga Doktoresha Amélie Léglise, nën mbikëqyrjen e Shërbimeve Mjekësore të klubit, në Sports Clinic Bordeaux Mérignac.

Ai mbetet jashtë fushave dhe evolucioni i tij do të përcaktojë kthimin e mundshëm."

Polemika rreth mungesës së gjatë

Deklarata e klubit vjen mes polemikave që shpërthyen pas një postimi të vetë portierit në rrjetet sociale, ku ai bëri të ditur se do të mungojë për tre muaj.

Ky komunikim nuk është pritur mirë nga drejtuesit e Barcelonës, pasi ekziston frika se një rikthim i parakohshëm i ter Stegen mund të komplikojë planet për të regjistruar zëvendësuesin e tij, Joan Garcia, nëse portieri gjerman nuk qëndron jashtë për të paktën katër muaj, një kusht i vendosur nga La Liga për të zhbllokuar hapësirën në kuadrin e "fair play"-t financiar.

Nga brenda klubit mendohet se mungesa e tij mund të zgjasë më shumë se tre muaj, për shkak të rrezikut të përsëritjes së dëmtimit.

Për këtë arsye, Barça po tregohet e rezervuar në komunikimin zyrtar, duke lënë gjithçka në dorën e progresit të rehabilitimit.

EMISIONET