Taksisti shqiptar i kthen Neuer-it portofolin e humbur por gardiani gjerman e zhgënjen…
Manuel Neuer dhe një taksist shqiptar janë bërë protagonistë të një episodi të veçantë. Shtetasi Hazir Stublla ka gjetur portofolin e kapitenit të Bayernit ndërsa po pastronte makinën pas shërbimit dhe ka vendosur t’ia kthejë.
Gjithsesi, gjestin e shqiptarit, kapiteni i Gjermanisë nuk e vlerësoi siç duhet duke i dërguar një fanellë madje as me nënshkrim.
Sipas mediave, portofoli kishte emrin dhe adresën e Manuer Neuer dhe në të ndodheshin 800 euro, karta e identitetit, karta e kreditit dhe patenta e shtatlartit të portës së Bayernit të Mynihut.
“Ia dorëzova agjentit të tij dhe si shpërblim nuk mora as një faleminderit nga Neuer”, shprehet taksisti shqiptar në intervistën dhënë për gazetën “Bild” ku shton se iu desh të udhëtonte mbi 100 km, duke shpenzuar rreth 400 euro për ta çuar portofolin në destinacion.
“Pas rreth dhjetë ditësh, erdhi një kuti, pa asnjë falënderim. Kishte vetëm një fanellë të vetme në të, dhe kaq. Jam babai i katër fëmijëve, çfarë më hyn në punë fanella? Jam shumë i zhgënjyer nga Neuer”, nënvizoi Stublla.
Shoferi sqaroi se e transportoi Neuer bashkë me një mikun e tij nga Odeonsplatz i Mynihut në një kompleks apartamentesh në distriktin Lehel. Sipas ligjit gjerman, gjetësit e sendeve të humbura përfitojnë vetëm 8% të vlerës, çka do të thotë se Haziri mund të marrë mbrapsht vetëm 38 € nga 400 që shpenzoi.