Sporti në shkolla, Rama: Financoni të rinjtë, jo klube private dhe huliganizëm

Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve bashkë me Komitetin Olimpik Kombëtar kanë prezantuar projektin e ri të Sportit për shkollat dhe Universitetet i cili pritet të rikthejë masivizimin e sportit tek të rinjtë që janë në të trija nivelet e arsimit, shkollat 9-vjeçare, shkollat e Mesme dhe Universitetet.
Ashtu siç u prezantua, afro 16 mijë nxënës dhe student do të përfshihen dhe aktivizohen në skuadrat e sporteve të shumë fushave. Gjithashtu ligji do të mbështesë edhe financiarisht trajnerët që do të punojnë me ekipet e sporteve në këto shkolla.
Në prezantimin e projektit krahas Ministres Kushi dhe kreut të KOKSH, Fidel Ylli ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili përgëzoi projektin por hodhi edhe kritika për bashkitë në vend.
“Ky është një organizim shumë më profesional, efikas shumë më masiv dhe shumë më tepër impakt në jetën e komunitetin. Synimi është të ndërtojmë skuadrat në çdo shkollë 9-vjeçare, gjimnaz, universitet dhe të krijojmë dhe kompeticonet sportive në nivel qarku dhe kombëtar. Kjo është e pamundur të bëhet nëse bashkitë dhe drejtoritë arsimore nuk marrin përsipër të bëjnë detyrat e tyre. E papranueshme që ende pas 1 muaji pjesa më e madh e bashkive nuk japin përgjigje për disa kërkesa shumë elementare për të pasur dijeni mbi terren që janë në dispozicion. Inventarin e palestrave, shkollave ne nuk e kemi të vështirë ta shqyrtojmë, por flasim për terrenet sportive në dispozicion. Duhet të rrisim sipërfaqen e terreneve sportive të hapura. Por si mund ta bëjmë këtë pa marrë informacione? Mbase nuk e keni kuptuar rëndësinë e kësaj, i është dukur si problematikë burokratike, se imagjino që as Bashkia e Tiranës nuk i ka sjellë”.
Në fjalën e tij, numri 1 i qeverisë nuk la pa përmendur edhe çështjen e financimit të klubeve të futbollit nga bashkitë që sipas tij po financohen huliganizëm dhe rrugaçëri me taksat e shqiptarëve.
“Na duhet një rishikim nga Bashkitë i qasjes me fondet e sportit. Janë bërë disa hapa disi detyrues ndaj bashkive, po ato vazhdojnë të hedhin kot para për futboll, për ekipe privat pa asnjë arsye në botë, lekë me humbje që nuk ka asnjë vlerë. Duhet të financoni sportin për të gjithë, jo të financoni skuadra futbolli pronarësh privatë ku ju vetë hidhni lekë e nuk merrni pas asgjë, veç shumë herë turpit të sportit dhe bashkisë, imazhe që marri dhe rrugën e botës siç ndodh rëndomë. Nuk mund të stimulohet huliganizmi, rrugaçëria me paratë e taksapaguesve. Ky është një gjynah i madh që duhet të mbarojë. Jo jep lekë për evazion fiskal të klubeve të futbollit dhe kampionate që nuk i duhen askujt në gjendjen ku janë", deklaroi kryeministri Rama në fjalën e tij./Ora News/.

