Sinner në finale të ATP Finals për të tretin vit radhazi: Do të jetë e vështirë, por që luaj në shtëpi

Jannik Sinner siguroi finalen e ATP Finals për edicionin e tretë radhazi, pasi mposhti australianin Alex De Minaur në dy sete në gjysmëfinale.
Tenisti italian, numri një i botës për Italinë, regjistroi fitoren e tij të 13-të ndaj De Minaur në po aq përballje.
“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë sidomos në fillim, sepse Alex shërbeu në mënyrë fantastike,” – tha Sinner pas ndeshjes.
“Në setin e dytë u përpoqa të rrisja nivelin dhe ia dola t’i rrëmbeja shpejt shërbimin, gjë që më dha besim.”
Kjo ishte fitorja e nëntë radhazi për Sinner në ATP Finals të Torinos.
Ai pranoi se fundi i sezonit është sfidues për të gjithë lojtarët, por mbështetja e publikut vendas i jep energji shtesë: “Është turneu i fundit i vitit dhe jemi të gjithë të lodhur. Këtu kam fatin të kem tifozët në krah, çka më ndihmon shumë.
Të luash në shtëpi është diçka speciale. Finalja do të jetë shumë e vështirë, por jam i lumtur që e luaj në Itali.”
Sinner theksoi se në pjesën e parë pati luhatje, por në përgjithësi ishte i kënaqur me nivelin e treguar: “Kam luajtur tenis të mirë. Jam shumë i lumtur që arrita finalen.”
Në finalen e së dielës, ai do të ndeshet me fituesin mes Carlos Alcaraz dhe Felix Auger-Aliassime.
“I njoh shumë mirë të dy,” – u shpreh Sinner. “Felix, kur shërben mirë, të vë në vështirësi, ndërsa Carlos është një lojtar që të gjithë e njohim për nivelin e tij. Sonte do të pushoj dhe nesër do të shohim çfarë do të ndodhë.”
Në konferencë, ai bëri edhe humor për mungesën e prindërve: “A do të vijë familja ime në finale? Sot ishte vëllai im.
Nuk besoj se mami dhe babi vijnë, kanë disa punë në shtëpi, me sa duket më të rëndësishme,” – tha duke qeshur. “Shpresoj të jetë një finale e shkëlqyer me nivel të lartë loje. Le të fitojë më i miri.”

