Shqipëria shkëlqen në “Loro Boriçi”, vajzat kuqezi fitojnë 4-0 ndaj Kroacisë!

Kombëtarja shqiptare e vajzave arriti një fitore me “poker” në “Loro Boriçi”, duke mposhtur me rezultatin e thellë 4-0 Kroacinë. Në ndeshjen e vlefshme për Ligën B të Nations League.
Vajzat kuqezi e nisën shumë mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh që në minutën e 14-të me golin e Fortesa Berishës. Shqipëria nuk e uli ritmin dhe në minutën e 24-të gjeti golin e dytë me Alma Hilajn, pas një asistimi nga Megi Doçi. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0.
Në fraksionin e dytë, Kombëtarja kuqezi e menaxhoi mirë lojën dhe vazhdoi të rrezikonte. Goli i tretë erdhi në minutën e 72-të, kur kapitenia Megi Doçi shënoi me një goditje të fuqishme nga jashtë zone.
Në fundin e ndeshjes, Shqipëria shënoi edhe golin e katërt me Klea Hamonikajn, e cila përfitoi nga një gabim i portieres kroate dhe e dërgoi topin në rrjetë. Kështu ndeshja u mbyll me fitoren fantastike 4-0 të Shqipërisë.
Shqipëria e vajzave do të zhvillojë ndeshjen e radhës në grupin B4 po ndaj Kroacisë, këtë herë në transfertë. Takimi do të luhet më 8 prill, në “Sport Centre Rudes”, në orën 16:00.
Trajneri Armir Grima e nisi takimin me këtë formacion titullar: Viona Rexhepi (GK), Arbenita Curraj, Arbiona Bajraktari, Fortesa Berisha, Valentina Troka, Qëndresa Krasniqi, Megi Doçi (C), Ezmiralda Franja, Ilarja Zarko, Klea Hamonikaj dhe Alma Hilaj.
Trajneri Grima më pas aktivizoi edhe Antigona Hyskën, Armela Tukajn, Kristina Maksutin, Djellza Istrefajn dhe Mikaela Metallën.
