Shqipëria bie në Ligën C, Uzuni: Të pësosh 2 gola në 9 minuta është shumë e vështirë për ta rikthyer ndeshjen

Shqipëria e ka mbyllur me humbje edicionin e Ligës së Kombeve, me Ukrainën që triumfoi me rezultatin 1-2 në “Air Albania”.

Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për skuadrën tonë përfaqësuese. Ishte minuta e 5, kur një aksion në dukje pa pretendime i miqve u konkludua me gol nga Zinchenko.

Por makthi i fillimit për kuqezinjtë nuk u ndal këtu, pasi 5 minuta më pas miqtë bëjnë ç’të duan në zonën tonë, teksa ishte vetë Yaremchuk, që asistohet me kokë nga Konoplya dhe shënon një gol të thjeshtë.

Reagimi i parë i skuadrës tonë erdhi pas një goditje nga Laçi, në një pozicion diagonal me portën, por goditja e mesfushorit preku rrjetën e jashtme. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-2 në favor të ukrainasve, me një lojë tepër të vakët të kuqezinjve.

Pjesa e dytë nis me ndryshime në formacion, me Sylvinhon që largoi Asanin e Dakun në hije gjatë fraksionit të parë dhe aktivizoi Bajramin e Uzunin.

Shqipëria bie në Ligën C, Uzuni: Të pësosh 2 gola

7 minuta më vonë edhe Muci i cili ndjen një shqetësim zëvendësohet, me Arbër Hoxhën që merr vendin e tij. Uzuni ishte i pari që provoi në minutën e 58-të por goditja e tij me të majtën përfundoi pak mbi kuadrat.

Minuta e 74 ishte deçizive teksa Uzuni mbërrin para Trubin tek topi, me këtë të fundit që shkaktoi një 11 metërsh. Penalltinë e mori përsipër Bajrami, i cili u tregua gjakftohtë për golin e 1-2.

Ishte sërish Bajrami që i’u afrua golit të barazimit 3 minuta më vonë, por e majta e numrit 10 përfundoi pak mbi kuadrat, çka do të ishte edhe rasti më i mirë deri në përfundimin e takimit.

5 minutat shtesë të akorduara nga arbitri portugez Pinheiro nuk dhuruan asgjë, me miqtë që i’u afruan golit të tretë, por Strakosha shmangu rreziqet.

Përfundimisht në kryeqytet mundemi 1-2 ndaj Ukrainës, dhe e mbyllim të fundit Grupin B1, duke bërë që kuqezinjtë tanë të bien në Ligën C të këtij kompeticioni.

Pas ndeshjes, Myrto Uzuni u shpreh: “Pjesën e parë hymë shumë dobët dhe shumë lehtë. Të pësosh dy gola në 9 minuta është shumë e vështirë për ta rikthyer ndeshjen.

Mendoja se do luaja më shumë minuta dhe do hyja që në minutën e parë”, tha Uzuni.

NDIQNI PRONONCIMET E PLOTA PAS NDESHJES

EMISIONET