Shehi: Jemi në një fazë interesante të Superiores, ta harrojmë Laçin

Java e 23-të e Superiores do të luhet në mesjavë ku të Mërkurën do të zbresin në fushë 4 ekipe e mes tyre Tirana. Bardheblutë që duket se “vranë” rivalin direkt për titull, Laçin do të kenë një impenjim ndaj Teutës por për trajnerin Shehi vlerësimi mbetet maksimal pasi fundja janë kampionët në fuqi.
“Futbolli është me periudha, jo gjithmonë fiton por ndaj çdo kemi dalë fitimtarë. Teuta, pavarësisht pozicionit, është kampione në fuqi, ka lojtarë cilësorë. Shpresoj të jemi në vazhdën e këtij sezoni. Fitorja me Laçin ka përfunduar, përqendrimi ynë është pikërisht te kjo ndeshje. Kampionati është në fazë shumë interesante, të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe duhet përqendrim vetëm te ndeshja e radhës. Teuta është ekip cilësor, ka pasur momente jo të mira dhe ndryshime në pankinë. Nëse është në ditën e saj më të mirë, na hap probleme. Pika e tyre e fortë janë lojtarët që ka edhe nga sezoni i kaluar dhe janë kampionë në fuqi.”
Më pas numri 1 i kryeqytetasve bëri një bilanc të formës së ekipit dhe për mungesat që do ta shoqërojnë Tiranën ndaj durrsakëve.
"Michael Ngoo mungon nga një periudhë relativisht e gjatë dhe nuk do të jetë në dizpozicion për një periudhë tjetër, pasi dëmtimi për të ka qenë i rëndë. Ismajlgeci vetëm dje ka nisur të stërvitet me grupin dhe sigurisht që I duhet ende kohë për të qenë në 100% të formës. Kemi ndeshje çdo tri ditë, mund të ketë ndonjë lojtar tjetër në dyshim, por do të shohim deri në momentin e fundit. Xhixha pësoi një dëmtim, vijoi të luante me dhimbje, do të shohim nesër si do të jetë. Ai dëmtim që pësoi me Laçin vijon ta shqetësojë”, përfundoi trajneri Shehi në fjalën e tij para ndeshjes me Teutën./Ora News/.

