Shehi ia dedikon tifozëve fitoren. Brdariç: Me kaq gola të pësuar nuk shkojmë te titulli

Tirana u largua me 3 pikë nga “Loro Boriçi” duke fituar një ndeshje ndaj një rivali direkt si Vllaznia. Në përfundim të ndeshjes, trajneri Orges Shehi u tregua i qetë por i kënaqur për fitoren teksa pati edhe një dedikim për 3 pikët.
“Pas një fitoreje të tillë, presidenti erdhi në dhomat e zhveshjes për të bërë përgëzimet e veta. Fesat është normale, pasi skuadra ka stabilitet dhe po tregon qëndrueshmëri ndaj rivalëve. Fitore mjaft e rëndësishme, por duhet të shohim përpara, pasi kemi ende punë për të bërë. Skuadra është në ekuilibër dhe të gjithë sakrifikojnë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin, gjë që u pa edhe kur mbetëm me 10 futbollistë. Kur Toli mori karton të kuq, u mërzita, pasi bëri një faull të tillë, në një situatë të parrezikshme dhe bëri skuadrën të vuajë. Megjithatë Toli është shumë i rëndësishëm për ne dhe më vjen mirë që fituam, në mënyrë që gabimi i tij të mos peshojë. Këtë fitore do t’ua dedikoj tifozëve që nuk ishin sot në stadium, pasi duhej të ishin të shumtë, por ndodhi ajo që ndodhi”, deklaroi trajneri i Tiranës në Shkodër.
Në krahun tjetër, tepër i zhgënjyer u shfaq trajneri Brdariç i cili zbuloi edhe problemet që ka skuadra në këto ndeshjet e fundit.
“Mendoj se kemi fuqi për të luajtur si ndaj Kukësit, ashtu edhe ndaj Tiranës, por në disa raste të caktuara, gabojmë shumë në mbrojtje. Kemi nënvlerësuar ndoshta disa situata të cilat mund të kishin shkuar më mirë. Edhe vendimet e marra në fushë ishin të gabuara, ndaj duhet të analizojmë shpejt situatën dhe ta marrim në kontroll, për të mos lënë më pikë rrugës. Duhet të marrim situatën nën kontroll që të shmangim gabimet që lëmë sot dhe të rikthehemi në normalitet. Sigurisht që me këto shifra golash të pësuar nuk mund të shkojmë te titulli. Duhet të luajmë më mirë si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe atë sulmuese. Kemi pësuar gola mjaft të thjeshtë dhe duhet të punojmë shumë që të jemi më të qëndrueshëm në mbrojtjen tonë. Në pjesën e parë arbitri bëri mirë, por dha disa faulle më shumë në favor të Tiranës. Nuk kam ndonjë pakënaqësi të veçantë ndaj arbitrit, por ndaj vetes tonë, pasi vetëm ne mund ta ndryshojmë situatën”, deklaroi trajneri gjerman pas humbjes në “Loro Boriçi”./Ora News/.

