Salah tha se nuk i është ofruar rinovimi, flet ish-i i Liverpoolit: Më zhgënjeu, ja çfarë ka ndodhur

Kontrata e Mohamed Salah me Liverpoolin po i afrohet skadimit (30 qershor 2025) dhe historia e bukur e dashurisë mes sulmuesit egjiptian dhe "të kuqve" rrezikon të përfundojë me mbylljen e sezonit. Ishte vetë Salah, ish-lojtar i Romës dhe Fiorentinës, ai që e bëri të qartë situatën:
"Jemi pothuajse në dhjetor dhe ende nuk kam marrë asnjë propozim për rinovimin. Kështu që, ndoshta, jam më shumë jashtë sesa brenda. Kam qenë këtu për shumë vite dhe nuk ka klub tjetër si ky, por çështja nuk është tërësisht në duart e mia. Tani jemi gati në dhjetor dhe ende nuk kam marrë ndonjë informacion për të ardhmen time. I dua tifozët dhe ata më duam, por nuk jemi ne ata që vendosim. Tani presim dhe shohim: sigurisht që është zhgënjyese që nuk kam marrë ende një ofertë. Jam i zhgënjyer."
Fjalë që, megjithatë, nuk kanë prishur atmosferën e një skuadre që kryeson në tabelë dhe po përgatitet për ndeshjet kundër Realit të Madridit dhe Manchester City-t. Megjithatë, legjenda Jamie Carragher ka shprehur zemërimin e tij:
"Sigurisht që ka pasur diskutime mes palëve. Për momentin, ekziston një diferencë e madhe mes asaj që Salah dhe përfaqësuesi i tij mendojnë se vlejnë, si financiarisht ashtu edhe për kohëzgjatjen e kontratës, dhe asaj që Liverpooli ofron. Arsyeja pse Liverpooli nuk ka bërë ende një ofertë është sepse ata e dinë që Salah do ta refuzojë atë. Por duhet të them se jam shumë i zhgënjyer me të: Liverpooli do të luajë kundër Realit të Madridit nesër dhe me Manchester City-n në fundjavë, dhe në shtatë vite Salah është ndalur vetëm dy herë për të folur për kontratën në zonën e intervistave. Nëse vazhdon me këto komente, do të tregojë se është egoist," tha ish-mbrojtësi për “Sky Sports”.
Megjithatë, duhet theksuar se Salah po udhëheq skuadrën e Slot edhe këtë sezon: ai ka realizuar tashmë 12 gola dhe ka dhënë 10 asiste në 18 ndeshje.


