Rustami: Kampionat i paparashikueshëm, me Bylisin është finale për Kastriotin

Në mungesë të trajnerit Ramazan Ndreu i cili është i skualifikuar, për gazetarët pas ndeshjes me Vllazninë foli zv.trajneri Shkëlzen Rustami i cili e pranoi se humbja i ndërlikon shumë pozitat e krutanëve.

“Është e vërtetë që humbja nuk na kënaq. E dinim që kishim një ndeshje ndaj Vllaznisë, përballë një ekipi që deri tani ka luajtur futboll shumë të mirë. Kishim objektivin tonë, pretendonim edhe një pikë që do të na kënaqte. Futbolli ky është, i ka të gjitha rezultatet. Morëm një gol nga një episode që ne nuk e prisnim. Gjithjsesi jemi të kënaqur me ekipin, sesi ka reaguar sesi ka luajtur futboll. Luajtëm ndaj një skuadre shumë të mire, që meriton të jetë në Kupat e Europës dhe diçka më tepër. Ne sërish kemi objektivin tone dhe jemi në lojë në këto dy ndeshje të mbetura, i kemi finale.”

Për Rustamin, gjithçka do të vendoset me Bylisin teksa sipas tij objektivi minimal për Kastriotin është vendi playout.

“Jemi të rrezikuar por ka edhe një mundësi që kemi, plyoffi është minimum që ne nuk e humbim. Kemi ndeshjen finale me Bylisin këtë javë, morëm vesh që kanë humbur ndeshjen me Kukësin. Pra do të jetë një finale për ta fituar dhe për të vazhduar rrugën deri në ndeshjen e fundit. Është e paparashikueshme sesi do të shkojë ky kampionat edhe për objektivat e tjera. Mungesa e Ndreut dihet, ai është trajneri i parë, ne jemi stafi. Siç flet ai me ekipin mund të flasim edhe ne. Ekipi di të reagojë dhe me qetësi mendojmë se do t’ia arrijmë”.

EMISIONET