Memelli: Nuk mund të shkonte më mirë se kaq për Skënderbeun

Trajneri Migen Memelli u shpreh tepër i kënaqur me fitoren ndaj Apolonisë, një fitore që ai e vlerëson në maksimum ndërsa zubulon edhe se çfarë i kërkoi skuadrës për këtë ndeshje delikate.

“Kemi edhe një ndeshje dhe si do që të jetë ne do t’i shkojmë kampionatit deri në fund në mënyrë që të eliminojmë playout-in. Luanim një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një kundërshtari që po e respekton kampionatin në maksimum dhe një bravo për këtë. Skuadrat zakonisht kur dalin nga objektivat e tyre fillojmë dhe lëshojnë. Ishim pak të tensionuar në fillim por I zgjidhëm gjërat shpejt. Kur vjen rezultati i dyfishtë, skuadra krijon një besim absolut se gjërat do të shkojmë mire deri në fund. Ajo që kam kërkuar nga skuadra në fillim është që “nëse kemi bërë deri sot gjëra të mira, kjo e mirë mund të kthehej në tragjedi. Që do të thotë, çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk na interesonte.”

Për trajnerin e korçarëve nuk ishte e lehtë pasi Skënderbeu kishte tre mungesa dhe me një numër të kufizuar lojtarësh nuk mund të ndryshojë sistemin.

“Janë 3 lojtarë shumë të rëndësishëm që sot na mungonin, Berisha, Mensah dhe Mara dhe kur ke mungesa kaq të rëndësishme 3 figura lëvizin në lojë dhe potenca për të shkuar përpara në sulm nuk është ajo e duhura. Jam jashtëzakonisht I kënaqur me lojtarët e tjerë që hodhëm në fushë, një bravo të madhe lojtarëve sepse meritojnë komplimente. Nuk mund të ndryshojmë shumë sepse lojtarët mësohen me sistemin që ne aplikojmë. Në një moment tjetër kur gjërat të jenë më mire mund të aplikojmë edhe gjëra të tjera. Duhet të kemi parasysh që trajnerët e vendosin sistemin në bazë të lojtarëve që kemi dhe në këtë moment nuk mund të luajmë dot me 4, rreshtimi me 5 na jep siguri në fazën mbrojtëse”.

Në fund për Memellin ajo që ka rëndësi është vetëm ndeshja me Kukësin e cila do të shpëtonte përfundimisht korçarët nga zona playout por edhe të arrinte pothuajse mbijetesën.

“Çka do të doja është që lojtarët të fokusoheshin në ndeshjen me Apoloninë, të merrnim këto 3 pikë që do të na siguronte qetësinë për të shkuar te ndeshja tjetër me Kukësin. Kam pare ndeshjet e tjera. Edhe sikur t’i bëje me dorë nuk mund të shkonin më mirë. Pas renditjes nuk i thashe asgjë lojtarëve, pasi për 4 ditë do të shkojmë në ndeshjen me Kukësin për të marrë 3 pikët dhe për të eliminuar playout-in. Nuk mendoj asgjë tjetër përveçse ndeshjen me Kukësin, i mendojmë gjërat me pozitivitet sepse nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë më vonë”.

EMISIONET