Raphinha, sezoni i madh me Barcelonën dhe vendimi që ndryshoi karrierën e tij

Sezoni 2024-25 po rezulton të jetë më i miri në karrierën e Raphinha-s.
Së bashku me talentin e ri Lamine Yamal, ai po udhëheq Barcelonën drejt sukseseve të mëdha: gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, vendi i parë në La Liga dhe titulli i Kupës së Mbretit tashmë i siguruar.
Sulmuesi i katalanasve është tashmë një titullar i padiskutueshëm në përfaqësuesen e Brazilit dhe një nga pikat kyçe të repartit ofensiv të “Seleçaos”.
Por rruga drejt fanellës së Brazilit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Para pak vitesh, të luante me Brazilin dukej si një ëndërr e largët, ndërkohë që Italia i trokiste në derë.
Këtë e ka pranuar vetë Raphinha në një intervistë për gazetaren Isabela Pagliari në kanalin e saj në YouTube:
"Kam qenë shumë pranë që të pranoja ftesën e kombëtares italiane."
Madje, ai zbuloi edhe detaje interesante që mund të kishin ndryshuar përfundimisht karrierën e tij:
"Supozohej që të më grumbullonin për Euro 2020, që më pas e fituan. Ishte pothuajse gjithçka gati. Për fat të mirë, pasaporta nuk arriti kurrë në kohë."
Pesë vite më parë, edhe pse Italia i ofronte një projekt shumë tërheqës, Raphinha nuk e humbi shpresën për të realizuar ëndrrën e tij më të madhe — të përfaqësonte Brazilin.
"Në atë kohë, njerëz nga stafi i Italisë më kontaktonin vazhdimisht. Jorginho më telefononte shpesh. Kishin një projekt shumë serioz për mua dhe kjo më tërhiqte vërtet," kujton ai.
Sot, kur ka fituar një vend të rëndësishëm në përfaqësuesen braziliane dhe është një nga liderët e Barcelonës, ai nuk ka asnjë pendesë.
"Thellë në vetvete, gjithmonë kisha një grimcë shprese që do të vishja fanellën e Brazilit. Dhe për fat, pasaporta italiane nuk mbërriti kurrë në kohë!"
Një vonesë që për Raphinhan ishte më shumë se një fat, ishte një kthesë vendimtare drejt ëndrrës së tij.

