PSG në ankth, postimet e bashkëshortes së Zabarnyi-t ndezin polemika në Paris

Illia Zabarnyi, përforcimi më i ri i Paris Saint-Germain, ka bërë tashmë jehonë jo vetëm për vlerën e tij në fushë, por edhe për polemikat jashtë saj.
Mbrojtësi 22-vjeçar, i transferuar nga Bournemouth-i për 63 milionë euro dhe lojtari i parë ukrainas në historinë e PSG-së, ndodhet në qendër të vëmendjes pas reagimeve të ashpra të bashkëshortes së tij, Angelina Zabarnyi.
Në rrjete sociale, Angelina publikoi dy mesazhe të forta kundër rusëve, duke shkruar:
“Është për të ardhur keq që ata nuk mund të fshihen përgjithmonë nga faqja e planetit” dhe më pas duke shtuar: “Terroristët nuk kanë të drejtë të ekzistojnë dhe as të trajtohen mirë.”
Edhe pse postimet u fshinë shpejt, ato kanë mjaftuar për të ndezur debat në Francë dhe për të nxitur frikën se situata mund të tensionojë dhomën e zhveshjes së PSG-së.
Arsyeja? Në skuadër ndodhet edhe portieri rus, Matvey Safonov, i cili ruan një profil të ulët publik lidhur me luftën në Ukrainë.
Vetë Zabarnyi është i angazhuar publikisht në mbështetje të vendit të tij, gjë që shihet qartë në aktivitetin e tij në Instagram, ku ndjek shumicën e shokëve të rinj të ekipit, por jo Safonovin.
Në Francë tashmë ka shqetësim se ky tension i heshtur mes dy lojtarëve mund të kthehet në një problem ekstrasportiv për Luis Enrique-n, i cili kërkon stabilitet në një skuadër me shumë ‘yje’, mes të cilëve edhe portugezët Vitinha, João Neves, Nuno Mendes dhe Gonçalo Ramos.
Çështja mbetet delikate, pasi PSG rrezikon që politika të hyjë fuqishëm në një ambient ku fokusi duhet të jetë vetëm futbolli.

