PSG merr miratimin, paradë në Champs-Élysées në rast triumfi në Champions League

Është zyrtare: autoritetet pariziene kanë dhënë dritën jeshile për një paradë festive në bulevardin e famshëm Champs-Élysées në rast se Paris Saint-Germain fiton finalen e Champions League ndaj Interit, të shtunën mbrëma, në Mynih.
Lajmi u konfirmua pas një mbledhjeje të zhvilluar mëngjesin e së mërkurës në Prefekturën e Policisë në Paris.
Sipas raportimeve të RMC Sport, që citon burime nga policia franceze, klubi dhe autoritetet po punojnë ngushtë për të organizuar çdo detaj të mundshëm të festës të së dielës, me qëllim ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë.
Megjithatë, ka një kusht të rëndësishëm
Organizimi i paradës do të anulohet nëse pas ndeshjes të së shtunës ndodhin trazira të ngjashme me ato të regjistruara pas ndeshjes PSG-Arsenal në gjysmëfinale.
Autoritetet janë të vendosura të shmangin çdo formë dhune apo përplasje dhe po marrin masa parandaluese për çdo skenar.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, ‘yjet’ e PSG-së do të përshkojnë Champs-Élysées mbi një autobus të hapur me dy kate për të festuar një triumf historik për klubin parisien, i cili kërkon të ngrejë për herë të parë në historinë e vet trofeun më të madh të futbollit evropian për klube.

