Presidenti i Lyonit nuk pranon vendimin që e zbret nga Ligue 1, gati apelimi

Rënia e papritur e Olympique Lyon-it në Ligue 2, e vendosur nga organi francez i kontrollit financiar në futboll, ka shkaktuar një tronditje të madhe në futbollin francez.
Autoritetet kanë gjykuar se situata financiare e klubit nuk është e mjaftueshme për të garantuar regjistrimin në sezonin e ardhshëm të Ligue 1, duke zyrtarizuar zbritjen e një prej emrave historikë të futbollit francez.
Vendimi, i paraprirë nga një paralajmërim më 15 nëntor për shkak të një borxhi që arrin rreth 175 milionë euro, ka ardhur pavarësisht përpjekjeve të grupit Eagle Football, që zotëron klubin, për të përmirësuar gjendjen financiare.
Lyon, aktualisht me Paulo Fonseca në pankinë dhe pas një fund sezoni pozitiv që solli kualifikimin në Europa League, nuk e pranon këtë vendim dhe ka vendosur të ankimojë.
Sipas RMC Sport, klubi do të dorëzojë apel zyrtar në komisionin e apelimit të DNCG-së.
Vendimi do të shoqërohet me një raport të plotë dhe drejtuesit e klubit kanë 7 ditë kohë nga momenti i marrjes së njoftimit për të depozituar ankesën, e cila mund të bëhet me email ose me postë të regjistruar.
Në përputhje me rregulloren e LFP-së, çdo dokument apo garanci e re financiare që klubi dëshiron të paraqesë duhet të dorëzohet jo më vonë se dita e seancës dëgjimore dhe në atë moment të jetë plotësisht e konkretizuar, përndryshe do të konsiderohet e pavlefshme.
Ndërsa pritet reagimi zyrtar i presidentit John Textor, vendimi për zbritje vazhdon të rëndojë mbi Lyonin, që vetëm pak javë më parë festonte pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Nëse apeli dështon, skuadra do të duhet të zbresë një kategori, në një kthesë dramatike që mund të ndryshojë ndjeshëm të ardhmen e klubit.

