Portieri i Liverpool-it në ‘radarin’ e Milanit, por mbeten dy pengesa kryesore

Milani i Massimiliano Allegri-t po përgatitet për një verë të nxehtë sa i përket portës, pasi e ardhmja e Mike Maignan është ende e paqartë.
Portieri francez do të hyjë në vitin e fundit të kontratës në qershor 2026 dhe, sipas raportimeve të fundit, rinovimi i tij nuk po ecën fare mirë, duke krijuar një skenar të vështirë për drejtuesit kuqezi.
Me tratativat e ngrira, gjiganti italian ka nisur të shikojë alternativa konkrete dhe emri më i bujshëm që ka dalë në skenë gjatë orëve të fundit është ai i Alisson Becker.
Sipas “Sky Sport Suisse”, portieri i Liverpool-it, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, mund të jetë i disponueshëm verën e ardhshme, nëse nuk rinovon me “The Reds”.
Madje thuhet se Milani ka pasur kontakte të para me përfaqësuesit e brazilianit.
Megjithatë, një operacion i tillë është shumë kompleks për dy arsye kryesore.
Së pari, Liverpooli duhet të vendosë çmimin e kartonit: Alisson, tashmë 33 vjeç, mund të lëvizë për një shifër të arsyeshme, por anglezët nuk do të pranojnë ta shesin lirë.
Së dyti, dhe më e rëndësishmja, është çështja e pagës. Braziliani fiton mbi 8 milionë euro në vit, një shumë që është shumë larg politikës së Milanit, duke e bërë transferimin jashtë realitetit aktual financiar të klubit.
Paralelisht me pistën Alisson, kuqezinjtë po vlerësojnë edhe një opsion tjetër nga Brazili: Hugo Souza, portier i Corinthians-it, i lindur në vitin 1999.
Klubi brazilian e vlerëson rreth 12 milionë euro, një investim shumë më i përballueshëm në krahasim me operacionin e mundshëm për Alissonin.

