“Për Berishën specialistët më thonin se nuk bëhet", Kaçi i ashpër me portierët shqiptarë: Janë sa për ti vënë në portë
Jani Kaçi ka dhënë një prononcim për mikrofonin e “Ora Sport” në “RTV Ora”, ku jep mendimin e tij për gardianët shqiptarë. Si një ish-portier e njeh mjaft mirë këtë rol, por përshtypjet nga gardianët e kampionatit tonë nuk janë aspak pozitive për të.
Kaçi tregohet i ashpër në vlerësimin e tij për portierët e rinj, teksa i kritikon për paraqitjet e bëra në fushë. Ndërkohë zbulon edhe një prapaskenë në lidhje me personin që mban “çelësat” e portës së Kombëtares kuqezi, Berishën.
Jani Kaçi tregon se është pikërisht ai që e ka grumbulluar për herë të parë në ekipin kombëtar, madje duke marrë edhe mosbesimin e shumë specialistëve.
“Ne atëherë kishim cilësi. Edhe unë kam pasur cilësi të jashtëzakonshme në lojën me këmbë. Duhet të jesh shumë i mençur që të jesh portier. Portieri është shtylla e skuadrës. Duhet të ketë këto detyra: të jetë një organizator i mirë, të jetë një dirigjent i mirë dhe të jetë një mbrojtës i mirë.
Portierët e Kombëtares? Kam shumë respekt për Berishën. As ju nuk e dini, vetëm kryetari i FSHF-së e di. Atë e kam marrë unë nga Prishtina. E kam grumbulluar për herë të parë në ekipin kombëtar Shpresa. Atje disa specialistë thanë: “Ky nuk bëhet“. Pas disa kohëve Armand Duka më thotë: “Jani Kaçi kishe të drejtë. Ai ishte portier“.

