“Nuk ndeshem me një izraelit”, xhudisti algjerian tërhiqet nga Lojërat Olimpike

 

Mund ta quajmë incidentin e parë të Olimpiadës. Xhudisti algjerian Fethi Nourine që garon për kategorinë deri në 73 kg duhej të paraqitej për t’u ndeshur në raundin e dytë të Olimpiadës por çuditërisht ai nuk u paraqit as në të parin sepse rivali i tij i radhës do të ishte një izraelit.

“Nuk garoj kundër një izraeliti”, ka deklaruar Nourine kur ka mësuar shortin e raundit të dytë dhe vet trajneri i tij, Ben Yekhlef e konfirmoi më pas duke shpjeguar edhe arsyen.

“Ne kemi punuar shumë për të arritur në këto  Lojërat … por çështja palestineze është më e madhe se e gjitha kjo. Ne nuk kishim fat në short. Xhudisti ynë, Fethi Nourine, do të duhej të përballej me një kundërshtar izraelit dhe kjo është arsyeja tërheqjes së tij. Ne morëm vendimin e duhur”, u shpreh trajneri Yekhlef.

Në raundin e parë, xhudisti algjerian do të ndeshej me sudanezin Mohamed Abdalrasool, një rival i lehtë për t’u kaluar nga ai dhe me siguri do ta kishte çuar në një përballje me Tohar Butbul, xhudistin izraelit në raundin e dytë.

Për të shmangur një situatë tjetër, Nourine vendosi të tërhiqej por nuk e ka për herë të parë sepse edhe në Botërorin 2019, u tërhoq pasi sipas shortit fati do ta përballte në një raund me izralitin Tohar Butbul.

 

EMISIONET