Nuk duan ndotje dhe zhurmë, banorët e Miami-t refuzojnë garën e Formula 1

Gara e Miami-t mund të anullohet dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Formula 1 njoftoi pak kohë më parë debutimin në Florida në një pistë qytetëse por banorët e qytetit më të madh të shtetit të diellit mund ta çojnë çështjen në gjyq me arsyen se një garë e Formula 1 mund të dëmtojë seriozisht ambjentin për shkak të ndotjes.
Banorët rezidentë në afërsi të pistës ku është planifikuar të zhvillohet gara në datën 8 maj, nuk janë aspak dakort me vendimin e marrë ndërsa gjykata tashmë e ka ankesën e tyre dhe brenda 3 javëve mund të marrë një vendim përfundimtar.
Përveç ndotjes për shkak të gazrave të dëmshëm, banorët e “Miami Gardens” janë të shqetësuar edhe për zhurmën e makinave të shpejtësisë, karakteristike e makinave të Formula 1. Anulimi i mundshëm i garës në Florida mund t’i kushtojë miliona dollarë humbje Formula 1.

