Norvegjia me Haaland-in eliminon Bregun e Fildishtë, sfidon Brazilin në 1/8-at

Norvegjia ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 2-1 Bregun e Fildishtë në një ndeshje dramatike të vlefshme për fazën e 1/16-ave. Heroi i skandinavëve ishte sërish Erling Haaland, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e 86-të, duke i dërguar norvegjezët në përballjen e radhës ndaj Brazilit.
Pavarësisht eliminimit, Bregu i Fildishtë zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke dominuar pjesën më të madhe të lojës. Afrikanët imponuan ritëm të lartë që në fillim, me Diomande dhe Pepé që krijuan vazhdimisht rrezik nga krahët, ndërsa mbrojtja norvegjeze hasi vështirësi për t’i ndalur.
Megjithatë, në minutën e 39-të, Antonio Nusa realizoi një moment magjik për Norvegjinë. Sulmuesi i ri kaloi kundërshtarin me një lëvizje të shpejtë dhe goditi saktë me të djathtën, duke dërguar topin nën traversë për avantazhin 1-0.
Në pjesën e dytë, Bregu i Fildishtë vazhdoi presionin në kërkim të golit të barazimit. Norvegjia ishte pranë golit të dytë me Ajer, por një ndërhyrje vendimtare e Diallo mbajti gjallë shpresat e afrikanëve.
Barazimi erdhi në minutën e 74-t, kur Diallo, i futur nga stoli, finalizoi një aksion të bukur me Pepé. Pas një kombinimi të shpejtë dhe një depërtimi në zonë, ai mposhti portierin norvegjez me një goditje të saktë për rezultatin 1-1.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Norvegjia goditi sërish. Në minutën e 86-të, Bobb shërbeu me zgjuarsi për Berg, i cili asistoi brenda zonës për Erling Haaland. Sulmuesi nuk gaboi nga afër, duke realizuar golin e fitores dhe duke vulosur kualifikimin e skandinavëve.
Me këtë sukses, Norvegjia avancon në 1/8-at e finales, ku do të përballet me Brazilin, ndërsa Bregu i Fildishtë largohet nga turneu pas një paraqitjeje të fortë dhe konkurruese.


