Ndriçim Shtubina i thotë “stop” futbollit të luajtur. Largim mallëngjyes i shkodranit përpara tifozëve të tij (Foto)
Largohet mes lotësh nga futbolli i luajtur një nga lojtarët më aktivë të futbollit shqiptar gjatë dekadave të fundit.
Shkodrani Ndriçim Shtubina “dorëzon letrat” përballë tifozerisë së tij, shkodranëve që e mbështetën në çdo hap të karrierës, pavarësisht se ndalesat për të kanë qenë të shumta edhe larg qytetit të zemrës si psh. Egnatia që si për ironi të fatit e mbylli sezonin e rregullt pikërisht në stadiumin që Shtubina e ka parë përherë si shtëpinë e tij.
Ishte pikërisht klubi rrogozhinas që zgjodhi Shkodrën për ta bërë më të bukur festën e Shtubinës edhe pse ndeshja në kalendar ishte parashikuar të luhej në qytetin që përfaqëson Egnatia.
Mesfushori u përshëndet me tifozët e pranishëm në stadium dhe tashmë në moshën 35-vjeçare do të shikojë përpara drejt horizonteve të reja profesionale.