Ndikimi i shqiptarëve në futbollin zviceran

Para pak ditësh janë shpallur më të mirët e futbollit në Zvicër për vitin 2024.
Nga katër çmime për futbollistë, mbrëmja gala u dominua nga shqiptarët.
Tre prej katër çmimeve i kanë fituar lojtarët shqiptarë, raporton albinfo.ch.
Granit Xhaka është shpallur futbollisti më i mirë i përfaqësueses së Zvicrës për vitin 2024.
Lojtari më i mirë i ri për vitin 2024 u shpall Ardon Jashari, ndërsa lojtari më i mirë i Challenge League, që është kategoria e dytë zvicerane, u shpall Valon Fazliu. Renato Steffen ishte i vetmi lojtar joshqiptar, i shpërblyer.
Ai u shpall lojtari më i mirë i Superligës së Zvicrës për vitin 2024.
Ceremonia në Bernë vetëm konfirmoi atë që dihet për shumë kohë, se ndikimi i shqiptarëve në futbollin e Zvicrës është shumë i madh.
Xhaka u shpall për herë të tretë radhazi lojtari më i mirë i përfaqësueses.
Pak ditë më parë ai mori çmimin MVP në ceremoninë e shpalljes së sportistëve më të mirë të Zvicrës për vitin e kaluar. Jashari është e ardhmja e përfaqësueses helvetike, ndërsa Fazliu ka kohë që shkëlqen në kategorinë e dytë zvicerane.
Emra tjerë të rëndësishëm të futbollit shqiptar si Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e Albert Bunjaku kanë përfunduar karrierën tashmë.
Xherdan Shaqiri i ka dhënë fund karrierës me përfaqësuese, por shqiptarët megjithatë mbesin me ndikim të madh në shtetin helvetik.
Granit Xhaka aktualisht është i pakrahasueshëm për nivelin që ka arritur. Përveçse udhëheq Zvicrën si kapiten, ai ka pasur suksese kulmore edhe me Bayer Leverkusenin, duke fituar titullin e kampionit në Bundesligë. Aktualisht po paraqitet me sukses edhe në Champions.
Klubet e Zvicrës vazhdojnë të jenë të mbushur me lojtarë shqiptarë, njësoj si përfaqësueset e grupmoshave dhe akademitë e klubeve.
Është e sigurt se futbollistë shqiptarë do ta fitojnë titullin në Superligën e Zvicrës.
Kryesuese aktualisht është Lugano, skuadër në të cilën paraqiten Albian Hajdari, Uran Bislimi, Shkëlqim Vladi e Amir Shaipi.
Te Baseli i vendit të dytë janë Xherdan Shaqiri, Taulant Xhaka, Leon Avdullahu e Albian Ajeti.
Te Lausanne e vendit të tretë është Alban Ajdini. Luzerni është në vendin e katërt, kurse për këtë skuadër luan Donat Rrudhani.
Me trendin aktual, shqiptarët do të fitojnë çmime të rëndësishme edhe në të ardhmen.
Shpesh shqiptarët e rritur në Zvicër kritikohen kur nuk zgjedhin të luajnë për Kosovën apo Shqipërinë.
Por lidhja e tyre me vendin e origjinës vazhdon të jetë shumë e fortë, në të shumtën e rasteve.
Dhe prej nivelit që kanë shqiptarët në Zvicër, vazhdimisht përfitojnë edhe Kosova e Shqipëria.

