Napoli leksion Milanit, skuadra e Spalletit nuk fal as kampionët e Italisë (VIDEO)

Napoli bën goditjen e madhe në Milano, shtëpinë e kampionëve në fuqi. Këtë herë skuadra e Luciano Spalletit nuk mund të fshihet më pas gishtit pasi fitorja 2-1 në shtëpinë e “Djallit” është një sinjal i qartë se kjo skuadër mund të jetë pretendentja kryesore për titullin që do të ishte i treti në historinë e klubit nga Kampanja.
Në mbrëmjen e “San Siros” Kvaratchkelia shkëlqeu por nuk shënoi edhe pse bëri gjithçka tjetër për t’i dhënë një leksion skuadrës së Piolit së cilës nuk i mjaftoi goli i barazimit të përkohshëm të Giroud pasi më parë kishte shënuar nga pika e bardhë Mateo Politano.
Napoli nuk u dorëzua dhë kaloi sërish në avantazh me golin e Simeones së vogël që festoi në një moment kur babai i tij vuante në Madrid për shkak të avantazhit të Realit ndaj Atleticos.
3 pikë që e ngjisin Napolin në krye me 17 pikë, po aq sa Atalanta që kaloi 1-0 Romën në “Olimpico” mes shumë polemikave dhe një kartoni të kuq në dëm të Josë Mourinhos. Milani zbret në vendin e pestë me 14 pikë në llogari, duke lënë pas Romën e Interin.
