Nagelsmann: Kapiteni mbetet Neuer, sezoni do të jetë ekzaltues për Bayernin

Nagelsmann: Kapiteni mbetet Neuer, sezoni do të jetë ekzaltues

Julian Nagelsmann bëri daljen e parë për shtyp që pasi u emërua si trajner i Bayern Munchen ku do të pasojë në stol, Hansi Flick. Trajneri i ri, 33-vjeçar e di që sfida do të jetë e vështirë por siguron se do të jetë tepër ekzaltuese për skuadrën dhe për tifozët.

“Jam shumë i lumtur për këtë aventurë, po shikojmë përpara për sezonin e ri që do të jetë shumë ekzaltues. Ndihem mirë në këtë detyrë të re dhe do të bëjmë maksimumin me lojtarët. Nuk kam ardhur për të përmbysur dhe ndryshuar gjithçka por mendoj se lojtarët duhet të luajnë në pozicionet e tyre më të mira”.

Në konferencën e parë, Nagelsmann u pyet nga gazetarët për shumë gjëra duke nisur që te kapiteni e deri te lojtarët që janë në fund të kontratave.

“Kapiteni do të mbetet sërish Neuer, nuk do të ketë ndryshime kaq të rëndësishme. Thjesht duhet të gjejmë një zëvendësues për Alaban i cili ishte mes kapitenëve. Motivimi për ne është i madh, e di që duhet të fitojmë tituj këtu dhe unë gjithashtu dua të fitoj trofe të rëndësishëm. Goretzka? E di që ka edhe një vit kontratë, është lojtar shumë i rëndësishëm, jam i lumtur që do të punoj me të dhe shpresoj ta bëjmë për shumë sezone. Mendoj se është një nga mesfushorët më të rrezikshëm në Europë”.

Trajneri bavarez zbuloi edhe disa prapaskena gjatë kalimit te Bayerni ndërsa për lojtarët që kthehen nga Europiani tha se do t’i presë me qetësi.

“Vendimi për të ardhur te Bayerni ishte shumë i rëndësishëm. Me bashkëshorten bisedova vetëm 5 minuta e 30 sekonda ndërsa me drejtuesit e Leipzig mu desh më shumë për të vendosur ndarjen. Sane? Duhet ta lëmë të qetë për një kohë, është lojtar me talent, do të punojmë mire edhe me të gjithë që janë ende me pushime pas angazhimeve në Kampionatin Europian”, përfundoi Nagelsmann në konferencën për shtyp.

 

 

EMISIONET