Mohamed Salah drejt largimit nga Liverpool-i? Gazetari i njohur: Shanse konkrete që të ndodhë në janar

E ardhmja e Mohamed Salah te Liverpool-i është vënë seriozisht në pikëpyetje.
Sipas ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, deklaratat e forta të egjiptianit pas ndeshjes kundër Leeds United kanë rritur ndjeshëm mundësinë që ai të largohet që në muajin janar.
Në kanalin e tij në YouTube, Romano theksoi:
“Ka një shans konkret që Salah të largohet gjatë merkatos së janarit.”
Ai shtoi se, pavarësisht tensioneve të fundit, Salah vazhdon të ketë respekt të madh për Liverpool-in, klubin dhe tifozët.
Deri tani nuk ka pasur asnjë negociatë zyrtare me klubet saudite dhe Liverpool-i nuk ka marrë asnjë ofertë formale.
Megjithatë, interesi nga Arabia Saudite mbetet shumë i fortë.
“Ata e deshën Salah edhe vitin e kaluar, por ai vendosi të qëndronte.
Ai vazhdon të jetë një objektiv madhor për Sauditët,” shpjegoi Romano.
Në këtë fazë, gjithçka është e hapur. Asnjëra palë nuk ka bërë lëvizjen e parë konkrete, por situata po nxehet dhe merkatoja e janarit mund të sjellë zhvillime të bujshme.
E sigurt është vetëm një gjë: e ardhmja e Salah po hyn në momentet më të tensionuara dhe Liverpool-i mund të përballet me një skenar të vështirë nëse ‘ylli’ egjiptian vendos të hapë një kapitull të ri në karrierë.

