Miqësorja me Kilin, Gjimshiti flet para sfidës: Test i rëndësishëm për ne, do të japim 100%-in tonë

Mbrëmjen e së premtes, “Legjionarët” e Kombëtares së Shqipërisë do të sfidojnë në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, testin e parë zyrtarë para fazës së grupeve, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, teksa si kundërshtar do të kenë Kombëtaren e Kilit, me “La Roja”, që ka jo pak emër në futbollin botëror.
Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp në kuadër të kësaj sfide, nga ku kapiteni Berat Gjimshiti, fillimisht vuri theksin te rëndësia e sfidës dhe te vështirësia e saj, ku përballë është një kundërshtar si Kili e më tej foli për partnerin e tij në mbrojtje, ku kapiteni ia la “barrën” teknikut Sylvinho.
“Besoj se jo vetëm në portë e në sulm, por në përgjithësi skuadra e Kilit ka emra të mëdhenj.
Është një Kombëtare që gjithmonë përgjatë viteve të fundit ka qenë pjesëmarrëse në Botëror e në Kupën e Amerikës dhe do të jetë një test shumë i rëndësishëm për ne, ndeshje ku do të japim 100%-shin tonë.
Në Kombëtare nuk është vetëm Ismajli apo Kumbulla, është edhe Aliji, Mihaj, Veseli, por në fund vendos trajneri kush do të luajë.
Nuk do të jetë problem pasi flasim të njëjtën gjuhë dhe besoj se njihemi aq shumë kohë me njëri-tjetrin sa besoj nuk do jetë problem”, tha Gjimshiti.

