Milani rrit ofertën për Jasharin, ofensivë vendimtare pas largimeve

Milani po intensifikon përpjekjet për të siguruar shërbimet e mesfushorit zviceran Ardon Jashari.
Pas afrimit të Pervis Estupiñán nga Brightoni për të zëvendësuar Theo Hernandez-in në krahun e majtë, “Djalli” po përgatit një tjetër lëvizje të rëndësishme në merkato.
Klubi kuqezi ka nisur të zgjidhë disa çështje në dalje, duke përfshirë largimet e mundshme të Emerson Royal, Yacine Adli, Lorenzo Colombo-s, Ismaël Bennacer dhe Noah Okafor, dhe me fondet e reja synon të mbyllë me sukses operacionin për Jasharin.
Fillimisht, Milani kishte paraqitur një ofertë prej 37 milionë eurosh për Bruges-in: 32 milionë si shumë fikse dhe 5 milionë në formë bonusesh.
Megjithatë, kjo ofertë u refuzua nga klubi belg, që vijon të kërkojë 40 milionë euro për kartonin e mesfushorit të lindur në vitin 2002.
Megjithatë, drejtuesit kuqezinj, Igli Tare dhe Giorgio Furlani, besojnë se marrëveshja mund të arrihet brenda kësaj jave.
Për të bindur Club Brugge, Milani është gati të reformulojë ofertën duke e rritur shumën fikse në 35 milionë euro dhe duke ulur bonuset në vetëm 2 milionë, gjithmonë duke mbajtur të pandryshuar totalin prej 37 milionësh.
Kjo qasje shihet si një hap që mund të zhbllokojë përfundimisht tratativat.
Nga ana tjetër, vetë Jashari mbetet i vendosur për të veshur fanellën kuqezi. Ai ka refuzuar oferta të tjera dhe ka deklaruar hapur dëshirën për t’u transferuar në Milano.
Kjo ka ndikuar edhe në pozicionin e tij aktual te Brugge, ku mesfushori është stërvitur veçmas dhe nuk ka marrë pjesë në debutimin zyrtar të sezonit në Superkupë.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Milani mund të afrojë një tjetër talent premtues në repartin e mesfushës, me Jasharin që shihet si një investim i rëndësishëm për të ardhmen dhe e tashmja.

