MES L*FTËS DHE SPORTIT / Bilardisti iranian Hossein Vafaei synon sukses në Crucible
Bilardisti iranian Hossein Vafaei ka deklaruar se po “lufton për të bërë iranianët krenarë” teksa përgatitet për Kampionatin Botëror të Bilardos. Ai tha se situata në vendin e tij ka ndikuar rëndë në përqendrimin e tij sportiv, por pavarësisht vështirësive, ai synon të japë maksimumin në garë.

Bilardisti iranian, Hossein Vafaei ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në kompionatin Botëror të Bilardos për të pestin vit radhazi, pasi mposhti në kualifikime partnerin e tij të stërvitjes Gao Yang.
Ai do të përballet me kinezin Si Jiahui, me fituesin që pritet të ndeshet më pas me numrin një të botës, Judd Trump.
Megjithatë, sportisti ka pranuar se gjendja në Iran ka ndikuar rëndë në jetën dhe përgatitjet e tij. Ai theksoi se familja e tij është e sigurt, por shqetësimet dhe mesazhet nga vendi i tij e bëjnë të vështirë përqendrimin në lojë.
Vafaei ka kaluar një sezon të vështirë edhe për shkak të një dëmtimi në shpatull që i ka prekur nervat dhe i ka ndikuar në formën sportive. Ai humbi disa muaj garash dhe u përball me presion të madh publik, ndërsa forma e tij u luhat pas rikthimit.
Pavarësisht vështirësive, ai ka pasur momente pozitive, përfshirë fitoren ndaj emrave të njohur si Barry Haëkins dhe Zhang Anda në turneun “World Open Snooker”. Megjithatë, ai pranon se shpesh nuk arrin të fokusohet për shkak të lajmeve nga vendi i tij.
Kjo situatë ka ndikuar në stabilitetin emocional dhe përqendrimin gjatë garave, duke u përballur me sfida të mëdha brenda dhe jashtë tavolinës së lojës.
Hossein Vafaei është një nga lojtarët më të njohur të bilardos në nivel ndërkombëtar nga Irani dhe një nga figurat që ka hapur rrugën për këtë sport në vendin e tij.
Ai arriti të bëhej lojtari i parë iranian që fitoi një turne profesional të bilardos dhe më pas u konsolidua në mesin e 50 lojtarëve më të mirë në botë, çka e ka shndërruar atë jo vetëm një sportist të suksesshëm, por edhe një simbol i përfaqësimit iranian në sportin ndërkombëtar.

