“Me Brdariçin do kishte shkuar shumë lart“, gazetari: Nuk mbahet mend lojtari i fundit i Vllaznisë në Kombëtare
Klasikja e futbollit shqiptar përfundoi në baraspeshë 0-0. Fitorja u kërkua nga të dy krahët, por rastet e shpërdoruara para portës ndikuan në fund në rezultatin e ndeshjes.
Në një lidhje me emisionin “Ora Sport“ në RTV Ora, Denis Bajraktari ka treguar si është përjetuar kjo ndeshje në Shkodër.
Gazetari i “TV Rozafa“-s tregon se dëshira e tifozëve ishte fitorja, por problemet që ka klubi kuqeblu në sulm u panë edhe në ndeshjen e sotme.
“Çdo ndeshje e Vllaznisë ka interes. Kur bëhet fjalë për klasiken ndaj Tiranës, interesi shtohet. Fitorja është ajo që duhej për Vllazninë dhe për tifozët shqiptar.
U fol për Xhixhën, por një lojtar si Xhixha është ai që i duhet Vllaznisë për të finalizuar aksionet. Aralica humbi dy raste. Sulmi është reparti që i mungon Vllaznisë. Latifi ka qenë një mungesë shumë e madhe, por siç ka thënë edhe Josa, Vllaznia nuk varet nga një lojtar.
Nuk mbahet mend lojtari i fundit nga ekipi i Vllaznisë që është aktivizuar në Kombëtare. Më në fund është Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë. Një ftesë e merituar.
Nëse e lidhim me kohën e Brdariçit, kjo Vllazni është shumë larg. Me këtë grup që ka skuadra momentalisht, do të shkonte shumë më lart me trajnerin Brdariç“, ka thënë Denis Bajraktari.

