Mbappé merr Këpucën e Artë 2025, ‘ylli’ i Real Madridit falënderon shokët e skuadrës dhe synon trofe të tjerë

Mbappé merr Këpucën e Artë 2025, ‘ylli’ i Real

Kylian Mbappé është shpallur fitues i Këpucës së Artë 2025, pasi u konfirmua si golashënuesi më i mirë i sezonit 2024-2025 me 31 gola, duke lënë pas suedezin Viktor Gyökeres dhe egjiptianin Mohamed Salah.

Sulmuesi francez i Real Madridit u nderua gjatë një ceremonie madhështore të zhvilluar në “Santiago Bernabéu”, ku të pranishëm ishin presidenti Florentino Pérez, të gjithë shokët e skuadrës dhe drejtues të ‘European Sport Media’.

Pas shfaqjes së një videoje me golat e tij më të bukur të sezonit të kaluar, Mbappé mbajti një fjalë falënderimi plot emocion.

“Falënderoj presidentin, si edhe të gjithë anëtarët e ‘Marca’-s dhe ‘European Sport Media’ për këtë çmim.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë shokët e mi të skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar të nxjerr më të mirën nga vetja.

Kemi një grup të jashtëzakonshëm dhe besoj se do të arrijmë të fitojmë shumë së bashku,” u shpreh kampioni francez.

Ky trofe vulos një tjetër sezon të shkëlqyer të Mbappé-së, i cili ka nisur aventurën e tij te Real Madridi me ritme të jashtëzakonshme dhe synon të vazhdojë të shkëlqejë në garat spanjolle dhe europiane.

Madrilenët shpresojnë se ky sukses individual do të inspirojë sulmuesin drejt objektivave madhorë në sezonin aktual.

EMISIONET