Mancinin nuk e kënaq shorti. Fernando Santos: Të bindur që shkojmë në Botëror

Mancinin nuk e kënaq shorti. Fernando Santos: Të bindur që

Goglat e shortit nuk u treguan aspak bujare për dy nga skuadrat më të mira që ndodheshin në playoff, Italia dhe Portugalia. Dy fituesit e fundit të Europianit do të përballen me shumë mundësi në finalen që do të vendosë ekipin që do të sigurojë biletën për në Katar dhe trajneri Mancini dukshëm nuk ishte i lumtur për shortin.

“Shorti mund të shkonte pak më mirë. Është e qartë që si ne, si Portugalia, duhet të mundim më parë Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Meqë është një ndeshje e vetme, vështirësia ekziston gjithmonë. Jemi besimplotë dhe pozitivë. Sidomos në momente pak më të vështira por mos të harrojmë që Maqedonia e Veriut ka bërë një fazë grupi të mirë në eliminatore. Edhe me Zvicrën e meritonim të fitonim, e megjithatë nuk ia dolëm. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, pastaj të shohim për finalen. Portugalia? Ashtu si ne me shumë qejf do t’i kishim evituar, edhe ata me shumë mundësi do të dëshironin të na evitonin. Do të luajmë një finale të mundshme”, deklaroi trajneri i kampionëve të Europës.

Në kampin tjetër, ka optimizëm në fjalët e trajnerit Fernando Santos por sipas tij para se të mendohet për Italinë duhet të kalohet një ekip i vështirë si Turqia.

“Para së gjithash duhet të përqendrohemi që të mposhtim Turqinë. Kjo është ndeshja e rëndësishme për të qenë më pas në finale dhe për ta fituar atë. Sa i përket shortit, ai është ai që është. Ka disa aspekte pozitive si për shembull të mund të luash në shtëpi, por për këtë duhet të mundësh Turqinë. Të kesh mbështetjen e publikut dhe të shmangësh lodhjen e udhëtimeve është e rëndësishme. Këto udhëtime, janë gjithmonë paksa të komplikuara. Tani duhet të përgatitemi mirë që të kemi një nivel të mirë në mars... Turqia ka lojtarë shumë të mirë. Ndonjëherë kolektivi i tyre funksionon mirë, ndonjëherë jo. Është një ekip që paraqet gjithmonë vështirësi por unë jam plotësisht i bindur që do të jemi në Kupën e Botës”, u shpreh trajneri portugez./Ora News/.

EMISIONET