MALDINI: PËR MUA KA VETËM MILAN! Ish-kapiteni flet për derbin me Interin dhe të ardhmen e djalit
Paolo Maldini ish-kapiteni dhe ish-drejtuesi i Milanit së fundmi ka folur për klubin e zemrës, derbin ndaj Interit, Kombëtaren italiane dhe të ardhmen e të birit, Daniel.

Paolo Maldini vazhdon të mbetet një pikë referimi në botën e futbollit italian.
Kur u pyet për gjendjen aktuale të Milanit, Maldini mbajti tonin e matur që e karakterizon prej vitesh.
Ai u shpreh i kënaqur për pozicionin në renditje, por paralajmëroi se gara për titull mbetet e hapur: “Napoli, Interi dhe Juventusi do ta luftojnë mes tyre. Nëse Milani vazhdon kështu, mund të jetë një kandidate e vërtetë”.
Ndërsa çështja e mundësisë për të drejtuar ndonjë klub tjetër në të ardhmen mori një përgjigje të prerë: “Sinqerisht, në Itali ka vetëm një skuadër. Edhe jashtë vendit”. u shpreh ai, një fjali që përforcon lidhjen e pathyeshme mes tij dhe klubit ku ndërtoi një karrierë prej legjende.
Derbi i së dielës ndaj Interit ishte një tjetër pikë e nxehtë. Maldini parashikoi një ndeshje të ekuilibruar dhe kujtoi se sfida e qytetit shpesh ndjek logjikën e vet: “Ne kemi humbur 6–7 me radhë dhe pastaj kemi fituar titullin. Më pas nisëm t’i fitonim dhe gjërat nuk shkuan mirë. Derbi nuk përcakton gjithmonë fatin e sezonit”, u shpreh ish-kapiteni kuqezi
Në kapitullin e Kombëtares, Maldini theksoi se shpreson në kualifikimin në Botëror, sidomos “për brezat e rinj që s’e kanë parë kurrë”.
Vlerësimi për Gennaro Gattuson, tani trajner i Italisë, ishte i menjëhershëm:
“Një ide shumë e mirë, ai mishëron shpirtin e kombëtares”.
Por si ish-kapiten i axurrëve ai risolli në vëmendje edhe rritjen e nivelit të kombëtareve të tjera, duke e konsideruar skenën ndërkombëtare më të vështirë se kurrë.
Në fund, një koment për të birin, Daniel, aktualisht te Atalanta. Maldini e pranoi se minuta e pakta e kanë vështirësuar rrugëtimin e tij, por beson se ai ka nevojë vetëm për vazhdimësi.
Me ardhjen e trajnerit Palladino, me të cilin Daniel shpërtheu te Monza, Maldini shpreson se mund të rifitojë hapësirat e humbura.


