Liverpool drejt titullit? Slot me 'këmbët në tokë': Çdo ndeshje në Premier League është si finale

Arne Slot ishte i entuziazmuar për fitoren e Liverpool-it ndaj Manchester City, por mbetet me “këmbët në tokë” kur bëhet fjalë për ambiciet e titullit. Ndërsa analizonte ndeshjen, trajneri holandez tha: "Kur luan si mysafir në ‘Etihad’ dhe fiton, gjithmonë është një fitore e madhe, nuk ka rëndësi si është renditja.
Kur luan kundër një ekipi të Guardiolës, është pothuajse e pamundur të kesh më shumë kontroll të topit se ekipi i tij. E dinim që duhej të mbroheshim shumë dhe kjo është ajo që bëmë vërtet mirë. Pastaj patëm disa momente të mira në kundërsulm, që na çuan te fitorja".
Slot më pas u ndal te ideja e ndjekjes së titullit, duke theksuar vështirësinë e kësaj në Premier League: "A mund ta ‘humbasim’ titullin vetë? Mund të bëni të gjitha pyetjet që doni, por e kam thënë shumë herë që është e vështirë të gjykohet renditja para se çdo ndeshje të luhet.
Për shembull, pas ndeshjes me Aston Villa, dikush më pyeti për garën e titullit, por ajo ndeshje jashtë fushe dhe tjetra kundër Manchester City ishin shumë të vështira, ku mund të humbasësh pikë. Arsenali i ka luajtur tashmë këto dy ndeshje, kështu që është e vështirë të bësh parashikime. Jemi në një pozicion të mirë, por e dimë sa e vështirë ishte të fitonim edhe kundër Wolves".
Trajneri i “Reds” më pas foli për sfidën me Newcastle, e cila përfundoi 3-3: "Edhe pse ishim në avantazh 3-2 pas 89 minutash lojë, e pamë sa e vështirë ishte ajo ndeshje. Në çdo kampionat tjetër, mendoj se një avantazh i tillë do të ishte shumë i rehatshëm, por jo në Premier League. Këtu çdo ndeshje të vë në provë, edhe skuadra e Plymouth Argyle na krijoi shumë vështirësi".


