Liga e Kampionëve/ 43 gola në një natë, një rekord i të gjitha kohërave

Pjesa e parë e javës së tretë të fazës së Ligës së Kampionëve të UEFA-s është tashmë histori. Me 43 gola në 9 ndeshjet e luajtura, ky është numri më i lartë i golave të shënuar në një mbrëmje të vetme në garën më të madhe evropiane.
Një shifër edhe më emocionuese, sidomos kur krahasohet me Serie A. Në fakt, rekordi i kundërt u regjistrua në javën e 7-të të kampionatit italian: kurrë në histori nuk ishin shënuar kaq pak gola (11).
Bayer Leverkusen-PSG (2-7), PSV-Napoli (6-2) dhe Barcelona-Olympiakos 6-1, janë padyshim tri ndeshjet që kontribuan në këtë rekord, duke ofruar argëtim dhe kthesa.
Rezultatet e mbrëmjes…
Pjesa e parë e javës së tretë të Fazës së Ligës së Kampionëve të UEFA-s u hap me dy ndeshjet në orën 18:45: Barcelona-Olympiakos 6-1 dhe Kairat-Pafos 0-0.
Në 7 ndeshjet e zhvilluara në orën 21:00 rezultatet ishin: Arsenal-Atletico Madrid 4-0, Bayer Leverkusen-PSG 2-7, Copenhagen-Borussia Dortmund 2-4, Newcastle-Benfica 3-0, PSV-Napoli 6-2, USG-Inter 0-4 dhe Villareal-Manchester City 0-2 .

