Laçi: Jemi të motivuar në maksimum, kombëtarja më emocionon

Pasi mungoi dy ndeshjet e kaluara, Qazim Laçi është rikthyer në kombëtare dhe për të është gjithmonë një emocion prania në grumbullimin kuqezi. Mesfushori pohoi se ndihet mirë në konferencën për shtyp dhe se në “Wembley” do të jetë një sfidë e vështirë për kuqezinjtë.
“Ndihem mirë dhe dëmtimin e kalova shpejt. Jam i lumtur që jam këtu, me shpirt dhe zemër për ekipin kombëtarë. Çfarë duhet rregulluar në mesfushë? Duhen të rregullohemi kudo, kundërshtari është shumë i fortë në të gjitha fazat, do të punojmë shumë për ndeshjen. Do japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.”
Ai foli për faktin se si do ndihet në një stadium si “Wembley” dhe se ku mund të luajë më mirë në mesfushë.
“Ndaj Anglisë do tëjetë shumë ndeshje e vështirë nga të gjitha anët, do të përgatitemi për të marrë rezultat pozitiv. Shpresoj të vazhdojmë mirë dhe të japim më të mirën në dy ndeshjet e fundit. Do të jetë hera e parë që do të luaj në një stadium si Wembley, do të kem emocione por si gjithnjë në kombëtare, emocionet janë më të mëdha. Ndihem mirë aty ku më vendos trajneri sepse në fund ai i merr vendimet. Kemi shumë lojtarë që e kanë ngritur lart kombëtaren dhe ka konkurrencë, kjo është mirë për ne. Trajneri ka ndryshuar disa skema ndonjëherë, por të gjithë lojtarët jemi përgjigjur mirë. Do jetë shumë e vështirë dhe do të përgatitemi për këtë, Anglia ishte në finalet e Europianit. Të japim maksimumin dhe të shpresojmë në një rezultat pozitiv”, deklaroi mesfushori Qazim Laçi./Ora News/.

