KUALIFIKIMI, NJË PROCEDURË! E para në grup, Spanja pret të martën në shtëpi Turqinë

Spanja synon të martën kualifikimin e drejtpërdrejtë në Kupën e Botës 2026, teksa përballet në Sevilje me Turqinë në ndeshjen e fundit të Grupit E. Kombëtarja spanjolle ka 5 fitore në 5 ndeshje dhe i mjafton një barazim për të vulosur vendin e parë në grup, ndërsa Turqisë i duhet një fitore me 7 gola diferencë.

KUALIFIKIMI, NJË PROCEDURË! E para në grup, Spanja pret të

Kombëtarja e Spanjës në futboll kryeson Grupin E me 15 pikë dhe një golaverazh të frikshëm. Një fitore ose barazim ndaj Turqisë të martën i çon spanjollët për të 13-ën herë radhazi në Kupën e Botës.

Në krahun tjetër, Turqia mban vendin e dytë me 12 pikë dhe ka ende shanse matematikore për kreun e grupit, por vetëm me një fitore me shtatë gola diferencë, një skenar praktikisht i pamundur në transfertë.

Ndeshja e parë mes dy ekipeve përfundoi 6–0 për Spanjën, me hat-trikun e Mikel Merinos, një humbje që mbetet e vetmja e Turqisë në këtë fushatë eliminatoresh.

Spanja vjen me mungesa të shumta. Ylli 18-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal, mungon prej një ndërhyrjeje të vogël në ijë. Po ashtu jashtë mbeten Dani Carvajal, Pedri dhe Rodri. I pasigurt mbetet Dean Huijsen, ndërsa Mikel Oyarzabal pritet të udhëheqë sulmin pas formës spektakolare me 8 gola në 8 ndeshje.

Në kampin turk, mungesa më e madhe është Hakan Çalhanoglu, i dëmtuar në ndeshjen e fundit me Bullgarinë. Ai pritet të zëvendësohet nga Isak Vural. Problematik mbetet edhe mbrojtësi Kaan Ayhan, ndërsa Ismail Yuksek është i pezulluar për shkak të kartonit të dytë të verdhë.

Kujtojmë se Spanja nuk ka humbur asnjë nga gjashtë ndeshjet e fundit ndaj Turqisë që prej 2005: pesë fitore dhe një barazim.

Sa i përket formës, Spanja ka pesë fitore radhazi në eliminatore, ndërsa Turqia vjen me katër fitore dhe një humbje – pikërisht ndaj “La Roja”.

Ndeshja luhet në “La Cartuja”, ku pritet një atmosferë e nxehtë dhe një Spanjë që kërkon vendin e parë, ndërsa Turqia lufton për të shmangur playoff-in e muajit mars.

EMISIONET