KOSOVA NË FUSHATË/ Mehmeti: Osmani ka bazë të rëndësishme elektorale, Kurti po tenton të mbajë bazën e tij
Në një lidhje direkte për Ora News, gazetari nga Kosova Faton Mehmeti ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, në prag të fushatës zgjedhore, ku vëmendja është përqendruar te raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Ai ka sjellë në fokus ndryshimin e raportit mes dy figurave që dikur kanë qenë aleatë të fortë, ndërsa sot përballen në një klimë të ashpër politike, ku në qendër është edhe gara për elektoratin rugovist.
“Vjosa Osmani ka një bazë të rëndësishme elektorale, sidomos te votuesit rugovistë. Dikur ky grup u afrua me Vetëvendosjen, por tani po shihet një tentativë për ta rikthyer këtë mbështetje.”-tha ai.
Sipas tij, beteja politike po zhvillohet kryesisht mes dy palëve që po synojnë të ruajnë ose të rifitojnë elektoratin vendimtar, ndërsa akuzat e ndërsjella janë shtuar në publik.
“Kurti po tenton të mbajë bazën e tij, ndërsa Osmani synon të forcojë pozicionin e saj duke prekur edhe raportet e ndjeshme politike të Kosovës me SHBA-në. Kjo pritet të jetë një nga temat kryesore të fushatës.”-shtoi Mehmeti.
Ai shton se përplasjet politike pritet të dominojnë fushatën, ndërsa krahas tyre do të jenë edhe premtimet ekonomike që po përdoren si pjesë e garës elektorale.
Në këtë kuadër, përmenden vendimet për mbështetje financiare si rritja e pagesave për lehonat dhe ndihmat për studentët, si dhe premtimet e opozitës për rritje pagash dhe përfitimesh në sektorin publik.
Sipas analizës së tij, gara zgjedhore në Kosovë pritet të vendoset jo vetëm nga programet ekonomike, por edhe nga përplasjet politike mes aktorëve kryesorë dhe ndikimi mbi elektoratin vendimtar.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:


