Kombëtarja me trajner të ri, Sylvinho nënshkruan kontratën dhe prezanton projektin
Sylvio Mendes Campos Júnior nënshkruan kontratën 18-mujore për drejtimin e Kombëtares Shqiptare. Ish-mbrojtësi 48-vjeçar, bashkë me ndihmësit e tij Zabaleta e Guidoni hodhën të zezën mbi të bardhë në kontratën e presidentit të FSHF, Armand Duka.
Armand Duka:
"Mundësitë për të arritur Euro 2024 janë. Ne do të bëjmë maksimumin. Jam i bindur që kemi bërë zgjedhjen e duhur. Jemi nisur nga cilësitë sportive dhe njerëzore. Të tre kanë eksperiencë europiane më shumë se sa 15-vjeçare. Besoj se kjo eksoeriencë do ta ndihmojë Kombëtaren.
Nuk iu shmangem përgjegjësive por ky ka qenë një vendim i stafit kolegjial. Kur kemi emëruar Panuccin, me stafin teknik të FSH kemi bërë votim me pikë dhe Panucci fitoi. Në këtë rast nuk kemi bërë zgjedhje me pikë. Nuk jemi nisur nga aspekti financiar. Ne kemi menduar se me këtë staf kemi më shumë mundësi.
Sylvinho:
"Ju falënderoj që jeni këtu. Jam shumë i kënaqur që jam edhe unë këtu. Puna jonë është e vështirë sepse duhet të bëjmë zgjedhje. Kemi dëshirë të bëjmë gjëra të mira dhe prandaj jemi këtu. Për këtë kemi rënë dakord me presidentin. FSHF më bindi dhe shpresoj të bëj një punë të madhe.
Ne mendojmë se mund të kualifikohemi. Do ta nisim punën nga këtu, monitorimi i lojtarëve dhe më pas do të ndjekim nga afër lojtarët që luajnë jashtë. Kemi lojtarë shumë të rinj, disa teknikisht shumë të fortë. Për mendimin tim kjo është një kombëtare me lojtarë shumë të fortë. Përfitoj nga rasti për t'i uruar shërim sa më të shpejtë Brojës.
Zgjedhja për të drejtuar një kombëtare erdhi pas një konsultimi të gjatë me shumë njerëz të cilët më thanë se është një projekt i rëndësishëm. Duhet të punojmë shumë dhe të përmirësohemi, përtej punës së bërë nga mister Reja.
Ne jemi trajnerë dhe nuk e dimë si do të shkojë. Le të marrim shëmbull Argjentinën, punoi me një trajner të ri dhe shumë të aftë. Futbolli është kështu, unë e theksoj që ne duhet të punojmë shumë.
Pjesë e punës është normalisht edhe kjo, kam punuar si zv. trajner me Titen edhe ne si staf jemi aty me skuadrën. Përshtatemi dhe punojmë cdo ditë. Kam ardhur këtu ti jap vazhdimësi punës së Rejës dhe më pas do ti japim gjërat tona. Fillimisht do të zhvillojmë një miqësore, ndeshjen e parë do të jetë ëë vështirë, do kemi pak kokë por kjo është normale në kombëtare, duhet të sjellësh rezultate.
Kam luajtur me Zabaleta-n tek City dhe kemi një raport të veçantë. Brazili dhe Argjentina janë dy kombëtare shumë të forta. Pablo tha një gjë të rëndësishme, në fushë duhet të jemi agresivë, nuk është i dhunshëm por presingu dhe vështirësia që e vendosim kundërshtarin. Do kemi bashkëpunim me Zabaletën dhe Dorivën, jam i bindur që do bëjmë një punë të mrekullueshme. Ne duam që të japim një ide të duhur për futbollin, duhet të jemi drejt një mendje dhe drejt objektivit. Duhet të kemi zemrën dhe shpirtin në fushë.
Në darkën me presidentin Duka, më thanë të gjithë që është një projekt shumë i mirë me Kombëtaren shqiptare. Jam një njeri që më pëlqejnë sfidat. Mendoj se do të ndihem mirë në këtë projekt. Kjo më dha një shtysë të fortë në zemrën time që të zgjidhja këtë Kombëtare. Ne do të vazhdojmë trashëgiminë nga Reja.
Në Botërorin e fundit Argjentina fitoi me një trajner të ri dhe të zotin. Mund të flas për atë trajner dhe stafin e tij. Përpara këtij Botërori ai nuk kishte rezultatet të tjera. Mendoj se duhet të punojmë me talentin dhe përgjegjshmëri të lartë. Më dha përshtypje shumë të mira ambienti dhe puna në Kombëtare".

Zabaleta:
"Dua të shikoj te Shqipëria atë që kam parë te Argjentina. Lojtarët duhet të besojnë te vetja e tyre dhe se mund të arrijmë diçka të madhe në mënyrë që kur tifozët të shikojnë akuadrën, të jenë krenarë për ekipin dhe djemtë".
Sylvinho do të qëndrojë minimalisht deri në fund të Euro 2024. Faza kualifikuese e këtij kompeticioni nis në muajin mars me transfertën në Poloni ndërsa Shqipëria do të sfidojë edhe Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.




