Keqardhja e Devollit: Kukësi e meritonte një fund të gëzuar
Kukësi luajti mirë, luftoi fort në finalen e Kupës së Shqipërisë, por nuk arriti të evitonte humbjen ndaj Egnatias.
Me trofeun e dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar që u nis drejt Rrogozhinës falë golit të Ndrecës.
Bledar Devolli, trajneri i skuadrës verilindore, që sezonin e ardhshëm do të garojë në Kategorinë e Parë, vlerësoi performancën e djemve të tij në stadiumin “Air Albania”.
46-vjeçari nga Gjirokastra theksoi se ndien keqardhje që skuadra e tij nuk e mbylli sezonin me trofe, sukses që e meritonte për atë që dha në fushën e lojës.
“Keqardhje për djemtë! E kishim merituar të vinim deri këtu, pasi kishim eliminuar ekipe me cilësi si Partizani e Tirana.
Nuk kam çfarë t’u them djemve, veçse bravo për punën që kanë bërë këto 3 muaj.
Jam i nderuar që kam punuar me ta.
E nisëm ndeshjen pak me frikë, ndërsa në pjesën e dytë patëm shumë mundësi për të barazuar.
E nuk dihej si do të shkonte, mund të flisnim ndryshe.
Besoj se pas këtij vitit të stresuar e meritonim një fund me gëzim, por ky është futbolli.
Do të pranojmë verdiktet“, u shpreh trajneri i skuadrës kuksiane.