Kampionë mbretërorë. Reali i Madridit rikthen titullin në "kështjellë", Ancelotti rekordmen

Reali i Madridit fiton kampionatin e parë pas erës “Messi”. Titulli mbetet në Madrid por sezoni flet për “Los Blancos” që zyrtarizuan trofeun pas 5 viteve shterpësi në “shtëpinë e bardhë”. Titulli numër 35 për skuadrën e Carlo Ancelottit u hipotekua edhe matematikisht pas ndeshjes së kësaj fundjave kundër Espanyol me rezultatin 4-0 ku Benzema dhe shokët e tij fituan dhe siguruan diferencën e nevojshme me ndjekësit që në këtë rast janë ata të Barcelonës, duke kompletuar një sezon pothuajse perfekt.
Katalanasit në kuotën e 26 titujve janë ende shumë larg Realit të Madridit që këtë sezon u mbështet te bomberi Karim Benzema për të siguruar një tofe që kishte filluar të kthehej në fiksim për mbretërorët dhe në sezonin e tij të parë pas rikthimit, Carlo Ancelotti ndërtoi një skuadër të aftë për të “shkelur” të gjithë kundërshtarët me “njollën” e vetme atë të disfatës 0-4 në “El Clasico”. Me këtë sukses, italiani bëhet i pari trajner që fiton minimalisht 1 titull në 5 ligat kryesore të Europës, Serie A, Bundesliga, Ligue 1, La Liga dhe Premier League.
Në sezonin e parë pa kapitenin Sergio Ramos pas më shumë se një dekade, skuadra “merengues” e mori drejtimin e kampionatit përfundimisht në javën e 13 duke mos zbritur më nga froni deri në fund dhe duke regjistruar vetëm tre humnbje sezonale deri në këtë pikë të kampionatit që për Realin tashmë ka përfunduar.
Espanyol, Getafe dhe Barcelona ishin të vetmet skuadra që u imponuan ndaj kryeqytetasve ndërsa Atletico Madrid, Barcelona e Sevilla janë ndjekësit e këtij sezoni që Reali i Madridit do ta vendosë në kornizë.

