Juve rrezikon me mungesa/ Ndaj Bolonjës si një finale, shkak një vend në Champions

Problemet me dëmtimet kanë qenë një nga plagët më të mëdha gjatë eksperiencës së shkurtër dhe të harrueshme të Thiago Motta te Juventus.
Edhe pse tani skuadra është marrë në dorë nga Igor Tudor, emergjenca vijon. Në këtë fazë vendimtare të sezonit, ku synimi minimal është kualifikimi në Ligën e Kampionëve, trajneri kroat detyrohet të bëjë llogaritë me mungesat që sa vijnë e shtohen, pikërisht përballë ndeshjes që duket si një "finale" për vendin në top-4: përplasja me Bolognën.
Situatën e rëndon edhe përjashtimi me karton të kuq i Yildiz në ndeshjen ndaj Monzës, çka e lë jashtë jo vetëm për përballjen në "Dall’Ara", por edhe për sfidën tjetër vendimtare kundër Lazios në “Olimpico”.
Problemet më të mëdha vijnë në mbrojtje, ku Tudor ka vetëm dy qendërmbrojtës në dispozicion: Veiga dhe Kalulu. Bremer dhe Cabal janë jashtë prej kohësh, Gatti sapo ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale dhe Kelly nuk është i gatshëm.
Për të plotësuar repartin, trajneri mund të spostojë Locatelli-n në prapavijë ose të përdorë Cambiaso-n në qendër të mbrojtjes, duke shfrytëzuar aftësinë e tyre për të hyrë përpara dhe detyruar sulmuesit e Bolognës të tërhiqen në mbrojtje – një taktikë efektive ndaj presionit "njeri për njeri" që aplikojnë rossoblù.
Por një lëvizje e tillë do të linte boshllëqe në mesfushë. McKennie mund të vendoset në të djathtë ose në qendër përkrah Weah në krah, ndërsa nga krahu tjetër opsioni është Savona. I vetmi me vend të sigurt në formacion duket të jetë Thuram.
Përballja me Bolognën është më shumë se një ndeshje, është një test karakteri për bardhezinjtë që më pas do të kenë edhe sfidën ndaj Lazios në transfertë.
Për më tepër, katër titullarë janë në kufijtë e pezullimit – Cambiaso, Thuram, Ëeah dhe Savona – dhe Tudor nuk mund të lejojë që lista e mungesave të zgjatet edhe më shumë në këtë sprint final për zonën Champions.

