JUVE NGEC ME RINOVIMET! Pezullohen bisedimet me Vlahoviç e Yildiz
Tentativat e Juventusit për të rinovuar me 2 protagonistet kryesorë të sulmit Vllahovic dhe Yildiz kanë ngecur. Shkak është bërë kërkesa për pagë më të lartë nga ana e futbollistëve, por klubi deri më tani nuk është treguar I gatshëm ta ofrojë.

Një tjetër stuhi po përfshin Juventusin! Këtë herë, jo në drejtim apo në pankinë, por në repartin e sulmit.
Pavarësisht investimeve të mëdha të verës, bardhezinjtë nuk kanë arritur rezultatet e pritshme, dhe tani priten ndryshime të mëdha.
Në qendër të vëmendjes është Dushan Vlahoviç. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2026, por bisedimet për rinovim janë pezulluar.
Drejtori ekzekutiv, Damien Comolli, konfirmoi se asgjë nuk do të ndodhë para fundit të sezonit.
“Marrëveshja me Vlahoviç është për të diskutuar të ardhmen në fund të sezonit: mos prisni asgjë para kësaj, sepse nuk do të ketë asnjë lajm”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp pas emërimit të tij si CEO.
Në thelb, Vlahoviç mund të rinovojë vetëm nëse pranon një pagë më të ulët se 12 milionë eurot që fiton aktualisht, ndryshe, Juventus rrezikon ta humbasë atë me parametra zero që në merkaton e ardhshme.
“Asnjë klub italian nuk mund të përballojë paga më të larta në Premier League, por kjo nuk do të thotë se nuk jemi konkurrues. Dhe ne, si të gjithë të tjerët, duhet të respektojmë Raportin e Kostos së Skuadrës të UEFA-s, i cili kërkon një raport prej 70% midis kostove të ekipit dhe të ardhurave”, deklaroi ai.
Ndërkohë, edhe Kenan Yildiz është në pritje. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2029, por palët po negociojnë për ta zgjatur deri në 2030 me një rritje page. Megjithatë, kërkesa për një rritje prej rreth 1 milion eurosh më shumë ka bllokuar për momentin marrëveshjen.
Burime pranë klubit nuk përjashtojnë një ndërhyrje personale të John Elkann, i cili e vlerëson shumë sjelljen profesionale të talentit turk, që ka luajtur edhe me dëmtime për të ndihmuar skuadrën.
Situata mbetet e paqartë edhe për emra të tjerë në sulm. Jonathan David, që erdhi me shumë pritshmëri, nuk ka bindur deri tani dhe ka humbur vendin e titullarit. Flitet për një interesim nga Milani, por largimi i tij aktualisht duket i vështirë.
E ardhmja e Lois Openda do të varet nga kualifikimi i Juventusit në Champions League. Nëse bardhezinjtë përfundojnë në katër vendet e para, klubi do të jetë i detyruar ta blejë përfundimisht; në të kundërt, sulmuesi belg mund të kthehet në Leipzig.


