Josa ka pakënaqësi edhe kur fiton 5-0. Shkëmbi: U kërkojmë falje, Dinamo pa karakter

Josa ka pakënaqësi edhe kur fiton 5-0. Shkëmbi: U

Laçi fitoi me një rezultat të thellë në javën e 11-të të Superiores duke mundur Dinamon por sërish për Mirel Josën ekipi kurbinas bëri disa gjëra gabim. Ai tha se rezultati është paksa i ekzagjeruar dhe ftoi ekipin të jenë me këmbë në tokë.

“Rezultati 5-0 mund të quhet pak i ekzagjeruar, kur ke përballë një ekip të organizuar si Dinamo. Do të jem hipokrit nëse nuk them që lojtarët zbatuan atë që i thamë. Kishte momente që bëmë gabime në pjesën e parë, sidomos pas shënimit të golit. Nuk duhet të ishim tërhequr, duhet të bënim më mirë në krah me Mazrekajn dhe Zarubica, pasi Guindo ishte një pikë referimi që fuste në lojë Lushkjen dhe Deliun. U rregulluam disi pas punës së Shehut dhe Malota-Ignjatovic shfaqën siguri. Duhet të jemi me këmbë në tokë në përgjithësi, pasi na presin ndeshje të ngjeshura dhe shumë të forta. Laçi, edhe përpara se të vija unë, ka pasur futbollistë të mirë. Kryesorja është ajo që i marrim lojtarëve në fushë”, deklaroi trajneri Mirel Josa.


Në krahun tjetër tepër i dëshpëruar ishte Bledi Shkëmbi pas një humbjeje të thellë ku nuk kurseu kritika edhe për skuadrën.

“Dinamo nuk tregoi karakter, ndoshta patëm mundësi të barazonim, ndërsa pas golit të dytë duket sikur ishte fotokopje e ndeshjes me Tiranën. Treguam që dorëzohemi shpejt, ky ishte problemi ynë. Nuk kam karakter që flas për futbollistët. Është e qartë se golin e parë e falëm vetë. Kur them që nuk ka karakter, e kam me të gjithë skuadrën, jo vetëm me një repart. Nëse jo të gjithë e bëjnë 100% punën e tyre, do të kemi probleme, si sot.  Kjo zgjidhet duke marrë përgjegjësi dhe duke qenë të përgjegjshëm. Duhet t’i kërkojmë falje klubit, presidentit dhe tifozëve. Nëse në ndeshje do të japim as sa bëjmë në stërvitje, nuk do të kishim këto rezultate të dobëta. Karakterin duhet ta kesh, ndryshe turpërohesh si ne sot. Ndeshjet janë shumë afër, tani s’duhet t’i përsërisim gabimet në ndeshjen me Teutën. Nëse nuk ndryshojmë karakterin do të kemi probleme. Dua të besoj se kemi karakter për të ndryshuar, ndeshja tjetër është shumë shpejt. Ndoshta ka lojtarë që ende nuk e kuptojmë se çfarë kërkon kur klub”, deklaroi trajneri i ekipit kryeqytetas./Ora News/. 

EMISIONET