Jamie Vardy i jep lamtumirën Leicester City-t pas 13 sezonesh legjendare

Një ditë duhej të vinte dhe ajo ditë është sot: Jamie Vardy largohet nga Leicester City.
Sulmuesi legjendar anglez, tashmë 38 vjeç, ka njoftuar largimin e tij nga klubi pas 13 sezoneve të paharrueshme, në një video prekëse ku shprehet: “Kam qenë këtu aq gjatë sa mendova se nuk do të përfundonte kurrë.”
I transferuar në vitin 2012 nga Fleetwood Town për vetëm pak më shumë se një milion euro, Vardy do të mbyllë ciklin e tij me Leicester-in në fund të sezonit aktual 2024-2025, i cili fatkeqësisht përkon me rënien e skuadrës në Championship.
Megjithatë, ai largohet si lojtari më i madh në historinë e klubit, siç e cilëson vetë Leicester City në njoftimin e tij zyrtar.
Gjatë kohës së tij me “dhelprat”, Vardy ka luajtur 496 ndeshje dhe ka shënuar 198 gola, duke qenë golashënuesi kryesor edhe në sezonin e kthimit në Premier League (2023-2024).
Ai do të ketë mundësinë të kalojë kuotën e 500 paraqitjeve dhe të arrijë 200 golat përpara ndeshjes së fundit që do ta luajë më 18 maj, në ‘King Power Stadium’, ndaj Ipswich Town.
Karriera e Vardy-t është një nga historitë më të jashtëzakonshme të futbollit anglez.
Nga liga e pestë në Angli, deri te kampion i Premier League-s në sezonin magjik 2015-2016, ku shënoi 24 gola dhe u shpall Lojtari i Vitit.
Në palmaresin e tij figurojnë edhe FA Cup e vitit 2021 dhe Community Shield i vitit 2022.
Rekordet e tij janë të shumta: i vetmi që ka shënuar në 11 ndeshje radhazi në Premier League, fituesi më i vjetër i Këpucës së Artë në moshën 32-vjeçare, si dhe i vetmi që ka kaluar 100 gola në Premier League pas moshës 30 vjeç.
Me 143 gola për Leicester-in në Premier League, vetëm Harry Kane, Sergio Agüero dhe Thierry Henry kanë shënuar më shumë për një klub të vetëm.
Edhe pse kjo është një lamtumirë nga Leicesteri, nuk është fundi i karrierës së Vardy-t.
Ai ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe mbetet i motivuar për të vazhduar të luajë në nivele të larta.
Jamie Vardy do të mbetet përgjithmonë një simbol i Leicester City-t dhe i një epoke të artë që do të kujtohet përjetësisht në historinë e futbollit anglez.
Dhe tifozët do të vazhdojnë të këndojnë: “Jamie Vardy’s having a party...”

