Interi rimerr kreun e Seria A! GARA E ARGJENTINASVE: Lautaro shkon 125 gola si Higuain, rekordmeni mbetet Batistuta

Interi bën detyrën ndaj Bolognës duke marrë një sukses 3-1 në sfidën e parë për vitin 2026. Paraqitja shumë bindëse e zikaltërve me Lautaron lider në fushë sollën tre pikë të rëndësishme dhe konfirmimin e vendit të parë në renditje.
Pjesa e parë u mbyll vetëm 1-0 pas një goli të shënuar nga Zielinski, falë ndërhyrjeve të jashtëzakonshme të portierit Ravaglia, i cili mbajti Bolognën në lojë me disa pritje vendimtare.
Në fraksionin e dytë, Inter rriti ritmin dhe gjeti goditjen përfundimtare, duke e mbyllur takimin 3-1. E vetmja notë negative për skuadrën e drejtuar nga Cristian Chivu ishte një moment shpërqendrimi në mbrojtje, që solli golin e vetëm të Castros.
Lautaro Martínez ishte protagonisti absolut, duke realizuar një gol tipik sulmuesi dhe duke dhuruar disa veprime teknike të nivelit të lartë. Thuram nuk mungoi në festën e zikaltërve me golin e tretë. Chivu buzëqesh jo vetëm për fitoren e dytë radhazi ndaj rivalëve të fortë si Atalanta dhe Bologna, por edhe për alternativat e shumta që ka në mesfushë.
GARA E ARGJENTINASVE

Lautaro Martinez po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij. Argjentinasi vazhdon të shënojë me rregullsi, duke heshtur gjithnjë e më shumë kritikët që në të kaluarën dyshonin në aftësinë e tij për të marrë mbi shpatulla skuadrën.
Goli i realizuar ndaj Bolognës ka një peshë të veçantë, pasi ishte i 125-ti për Lautaron në Serie A. Një shifër shumë domethënëse, që i lejon atij të barazojë Gonzalo Higuain në krye të renditjes së golashënuesve argjentinas në kampionatin italian.
Përpara tij mbeten vetëm emra legjendarë si Gabriel Omar Batistuta dhe Hernan Crespo, ndërsa Paulo Dybala ndodhet në kuotën e 130 golave.
Kjo statistikë konfirmon edhe një herë dimensionin që ka arritur Lautaro Martinez, tashmë një simbol i Interit, brenda dhe jashtë fushës. Trajneri Cristian Chivu ka ditur ta mbështesë pas zhgënjimit të finales së Champions League të humbur 5-0, duke i dhënë besim edhe në momentet më të vështira.
Sot, kapiteni zikaltër është lojtari i parë që arrin shifrat dyshifrore të golave në Serie A këtë sezon, duke dërguar një mesazh të qartë për Napolin dhe Milanin: Lautaro Martinez synon ta rikthejë titullin në shtëpinë zikaltër.


