Humbje e madhe për mbrojtjen e Shqipërisë, dëmtohet edhe titullari kuqezi
Kombëtarja Shqiptare nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin e djathtë Ivan Balliu për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, të vlefshme për eleminatoret e Euro 2024.
Sipas FSHF-së, futbollisti kuqezi i është nënshtruar vizitave mjekësore pas ndeshjes së fundit në La Liga me klubin e tij Rayo Vallecano për një problem në tendinën e muskujve aduktor (muskujt rrëzë kofshës).
Stafi mjekësor i Kombëtares ka qenë në kontakt në vazhdueshëm me klubin spanjoll dhe pas konsultave është konfirmuar mungesa e Balliut në ndeshjet e qershorit.
Lojtari do të nisë ndërkohë fazën e rikuperimit, ndërsa trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë mbrojtësin Naser Aliji.
Futbollisti, i cili numëron 13 ndeshje me Kombëtaren, pritet të mbërrijë në grumbullim që të enjten dhe t’i bashkohet ekipit në stërvitje për të nisur përgatitjet për dy sfidat zyrtare.