Hazard në ‘Hall of Fame’ të Premier League-s, Mourinho: Ndër më të jashtëzakonshmit që kam trajnuar

Eden Hazard është futbollisti më i fundit që është përfshirë në “Premier League Hall of Fame”, duke iu bashkuar një grupi të madh kampionësh dhe trajnerësh legjendarë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kampionatit anglez.
Belgu, i cili fitoi dy tituj kampion me Chelsea-n gjatë shtatë sezoneve të tij në Londër, mori edhe një mesazh të veçantë urimi nga ish-trajneri i tij, José Mourinho, i cili e përshkroi si “njërin prej lojtarëve më të jashtëzakonshëm” që ka drejtuar ndonjëherë.
Ish-trajneri i Interit dhe Romës, që e udhëhoqi Hazard-in dhe Chelsea-n në sezonin 2014-2015, ka dërguar një mesazh emocionues për ish-lojtarin e tij, i publikuar nga kanalet zyrtare të Premier League-s:
“Përshëndetje, Eden. Urime që je bërë pjesë e Premier League Hall of Fame. Unë e di, ti e di dhe të gjithë e dinë që ti e meriton këtë. Të gjithë e dinë që je kampion.
Je një nga lojtarët më të jashtëzakonshëm me të cilët kam punuar ndonjëherë dhe, pa dyshim, që e meriton të jesh aty.
Faleminderit shumë që më ndihmove të fitoja titullin tim të fundit në Premier League!”
Këtë vit, Hazard i bashkohet ikonës së Manchester United, Gary Neville, si dy anëtarët më të rinj të përzgjedhur nga 24 anëtarët ekzistues të Hall of Fame.
Ndër emrat që tashmë janë pjesë e Hall of Fame përfshihen legjenda si Sir Alex Ferguson, Arsène Wenger, Paul Scholes, Dennis Bergkamp, Vincent Kompany dhe Didier Drogba.
Ky nder u jepet lojtarëve dhe trajnerëve që kanë arritur suksese të jashtëzakonshme dhe kanë dhënë kontribute të rëndësishme në Premier League që nga viti 1992.

