Harry Kane shpëton Bayernin nga humbja në fund, bavarezët ndalen nga Mainz

Bayern Munich barazoi 2-2 ndaj Mainz në një ndeshje dramatike të Bundesligës në “Allianz Arena”, duke marrë barazimin e dytë, ku ka edhe 12 fitore në 14 javët e para.
Bayerni kaloi në avantazh në minutën e 29-të, kur Serge Gnabry dha një pasim perfekt te Lennart Karl, i cili shënoi nga afërsia duke lënë portierin Daniel Batz pa asnjë mundësi reagimi.
Mainz barazoi në minutën e 45+2’, kur Kacper Potulski shfrytëzoi një goditje këndi të William Boving dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, me VAR që konfirmoi golin.
Në pjesën e dytë, Mainz kaloi në avantazh në minutën e 67-të, kur Jae-Sung Lee shënoi me kokë pas një harkimi të Stefan Bell.
Bayerni reagoi më vonë, dhe në minutën e 87-të, Harry Kane shënoi nga penalltia duke vendosur rezultatin final 2-2.
Pavarësisht barazimit, Bayerni mbetet në krye me 38 pikë, duke ruajtur diferencën e lartë në Bundesligë.

