Griezmann në superformë, Atletico Madrid fiton sërish dhe hyn në garën për titullin

Griezmann në superformë, Atletico Madrid fiton sërish dhe hyn

Atletico Madrid vazhdon ecurinë fantastike në LaLiga, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi.

Skuadra e Diego Simeones triumfoi 3-1 ndaj Levantes në “Metropolitano”, në ndeshjen e javës së 12-të, duke treguar se është kthyer seriozisht në garën për titullin kampion.

Sfida nisi me dominim të plotë të vendasve, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 11-të, falë një autogoli të Dela-s, pas një topi të futur në zonë nga Pablo Barrios.

Megjithatë, reagimi i Levantes nuk mungoi: në minutën e 21-të, Manu Sanchez barazoi shifrat me kokë, duke përfituar nga pasiguria e mbrojtjes madrilene pas një goditjeje këndi.

Në pjesën e dytë, Atletico riktheu kontrollin e lojës dhe rrezikoi vazhdimisht.

Goli i dytë erdhi në minutën e 60-të, kur Antoine Griezmann, pas një aksioni të bukur kolektiv dhe një asisti perfekt nga Marcos Llorente, e shtyu topin në rrjetë për 2-1.

Francezi vulosi fitoren në minutën e 80-të, duke shënuar ‘dopietën’ personale dhe duke bërë që “Colchoneros” të festonin një tjetër fitore bindëse para tifozëve të tyre.

Pas këtij suksesi, Atletico Madrid ngjitet në vendin e tretë me 25 pikë dhe konfirmon pretendimet për trofeun, ndërsa Levante mbetet në zonën e ftohtë të tabelës, në vendin e 17-të me vetëm 9 pikë. Griezmann, me formën që po kalon, mbetet lideri absolut i skuadrës së Simeones.

EMISIONET