Graham Potter në listën e Suedisë për trajner të ri të Kombëtares

Graham Potter në listën e Suedisë për trajner të ri

Graham Potter mund të rikthehet në pankinë më shpejt nga sa pritej, dhe këtë herë me një sfidë ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të ‘talkSPORT’, ish-trajneri i Brighton-it, Chelsea-t dhe West Ham-it është një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e kombëtares së Suedisë.

Pas shkarkimit të Jon Dahl Tomasson këtë javë, Federata Suedeze e Futbollit po kërkon një figurë me përvojë dhe vizion të qartë për të ringjallur një skuadër që aktualisht ndodhet në fund të grupit të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Potter, i cili u shkarkua nga West Ham United në shtator, e ka shprehur tashmë interesimin për këtë post.

Ai njihet mirë në ambientin suedez, pasi gjatë karrierës së tij mori famë pikërisht në Suedi, ku udhëhoqi skuadrën e Östersunds nga kategoria e katërt deri në elitën e futbollit suedez, duke arritur madje edhe në fazën e grupeve të Europa League.

Nëse do të marrë drejtimin e Suedisë, misioni i Potter-it do të ishte i qartë: të çojë skuadrën në “play-off”-et e Botërorit.

Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Suedia fiton dy ndeshjet e fundit të grupit dhe Kosova pëson dy humbje radhazi.

Për momentin, emri i Graham Potter shihet si opsioni më serioz për të ndërtuar një projekt të ri afatgjatë që do të synojë të rikthejë Suedinë në nivelet më të larta të futbollit europian.

EMISIONET